France Football i kërkon falje Iniestas që s’ia dha kurrë Topin e Artë

  • 24 April 2018 - 15:32
France Football i kërkon falje Iniestas që s’ia dha kurrë Topin e Artë

Në edicionin e saj më të fundit, revista prestigjioze franceze e futbollit “France Football”, i ka kërkuar falje legjendës së Barcelonës, Andres Iniestas, se nuk ia ka ndarë asnjëherë Topin e Artë.

Redaktori Pascal Ferre e shkroi një editorial me titullin “Na fal Andres”, në të cilin ata kërkuan falje për “anomalinë demokratike”.

Editoriali e lartësoi punën dhe karrierën e magjistarit të futbollit spanjoll, si dhe ia ka lënë të hapur mundësinë për ta ngritur këtë çmim më 2018, nëse arrin të ketë një turne të mirë në Kupën e Botës në Rusi.

Ndër komplimentet që mori mesfushori spanjoll në këtë artikull –  i cili këtë javë do ta bëjë publik vendimin për t’u transferuar në Kinë në fund të sezonit – janë edhe ato për inteligjencën e treguar në fushë.

“Iniesta e ka dëshmuar se truri është përfundimisht gjëja më e rëndësishme kur bëhet fjalë për kampionët”, shkroi Ferre.

“Talenti i Iniestas është të shpikë për të tjerët. Pa të, Messi do të lodhej shumë më shpejt në Barcelonë. Altruizmi i tij e ka privuar atë nga fitimi i çmimeve individuale”. Në mesin se emrave më të mëdhenj që mungojnë në listën e Topit të Artë, i tij është që vret më së shumti”, shkroi ai.  
 

(Kosova Sot)