Sermaxhaj: Java e kaluar njollosi gjithë kampionatin

  • 26 April 2018 - 09:00
Sermaxhaj: Java e kaluar njollosi gjithë kampionatin

E dhe pse ka nisur të heshtet ajo çfarë ndodhi në sfidën e javës së kaluar ndërmjet Llapit e Dritës, gjithsesi, kampionati ka marrë një njollë të keqe dhe deshëmapo jo e ka zbehur maksimalisht këtë garë, e cila deri tash cilësohej si njëra nga më të mirat e pasluftës. Sipas analistëve, pa dashur të komentohet nëse kishte apo jo diçka të vërtetë, vetëm dyshimet për kurdisje të ndeshjes Llapi Drita janë vështirë të rikuperueshme dhe në të ardhmen mund të sjellin pasoja. Sido që të jetë, kur kanë mbetur edhe pesë javë deri në mbyllje të kampionatit, të gjithë pjesëmarrësit në lojën e futbollit bëjnë thirrje për një mobilizim që gara assesi mos të dalë nga binarët dhe të vazhdojë me ritëm të ngjashëm siç ishte deri tash. "Xhiroja që lamë pas, në ndeshjen Llapi - Drita, i ka dhënë hijeshi jo të mirë kampionatit tonë, që deri tash e kemi quajtur si shumë të rregullt e mjaft interesant. Ata, kushdo qofshin, që e bënë këtë vepër, përfundimisht duhen dënuar nga organet kompetente, ngase tashmë jemi të vëzhguar edhe nga FIFA e UEFA dhe çdo gjest i tillë shkon në dëmin tonë", ka thënë përgazetën "Kosova Sot", Genc Sermaxhaj

Klubet duhet organizuar më mirë

Ish- futbollisti i mirënjohur kosovar, Genc Sermaxhaj ka thënë se klubet duhet të organizohen më mirë dhe mos të lejojnë që tifozët të bien në lajthitje dhe për çfarëdo dyshimi ata të tentojnë ta marrin vetë drejtësinë në duart e tyre, siç ndodhi në Podujevë kur tifozët tentuan ta ndërpresin ndeshjen vetëm pse kishin dëgjuar se ndeshja mund të jetë e kurdisur. "Në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohet sjellja e disa tifozëve vendas, kur nisin me hedhjen e gjësendeve, futjen në fushë dhe tentimin për ta ndërprerë ndeshjen, e cila, sipas mendimit tim, shkonte në mënyrë shumë të rregullt", ka thënë Sermaxhaj për "Kosova Sot", i cili e pranon se ajo ngjarje mund të ketë pasoja në sfidat e radhës. "Ndodhia e javës që lamë pas mund të ndikojë në javët pasuese, sidomos tek Llapi e Drita, që janë ende në presion të asaj që u ka ngjarë, por pavarësisht rastit,unë mendon se klubet janë sjellë mjaft profesionalisht, duke e iniciuar rastin tek organet kompetente, që të zbardhet ai", ka thënë Sermaxhaj për gazetën "Kosova Sot".

Kërkohet bashkëpunim Federatë-klube-gjyqtarë

Edhe pse fundi i kampionatit është afruar, shumëçka në gara ka mbetur për t'u sqaruar. Madje, fokusi nuk duhet të jetë vetëm te skuadrat e kreut, por edhe tek ato që luftojnë për ekzistencë, pasi edhe atje është një garë shumë e tensionuar, dhe shumëçka mund të ndodhë, kështu që për ta mbajtur kampionatin në suaza të korrektësisë, duhet mobilizim më i madh. "Javët në vazhdim prapë janë me ndeshje interesante e shumë të vlefshme. Ekipet duhen fokusuar më shumë tek ndeshjet e tyre e te rezultatet sa më pozitive, dhe të mos shpërqendrohen më me ndodhinë e javës së keqe. Dhe për fund, Federata, klubet dhe gjyqtarët, duhet të bashkëpunojnë dhe të mos lejojnë prishje të lojës si dhe ndodhi të tilla që vijnë nga jashtë fushave, sepse kemi pasur të bëjmë me një kampionat shumë të mirë dhe shpresojmë të vazhdojë i tillë deri në fund", ka përfunduar Genc Sermaxhaj.

(Kosova Sot)