Në Izrael për medalje

  • 26 April 2018 - 09:03
Në Izrael për medalje

Mungon Majlinda Kelmendi për shkak të lëndimit

Kosova do të përfaqësohet me katër xhudistë në Kampionatin Evropian, që fillon nga sot (e enjte) dhe do të mbahet deri të shtunën. Të mërkurën është hedhur shorti për Kampionatin Evropian, që do të mbahet në Tel Aviv të Izraelit, prej 26-28 prill. Kosova do të përfaqësohet me katër xhudistë: Distria Krasniqi (-52 kg), Nora Gjakova (-57 kg), Loriana Kuka (-78 kg) dhe Akil Gjakova (-73 kg). Distria, rrethin e parë e kalon pa luftë, ndërsa në tëdytin pret fituesen e çiftit Skripnik të Bjellorusisë dhe Penkowska të Polonisë. Nora Gjakova në rrethin e parë takohet me Ichinkorlo Munkhtsedev të Azerbajxhanit. Loriana Kuka do të përballet me Klara Apotekar të Sllovenisë, medaliste e artë në Kampionatin Evropian U-21, të mbajtur vitin e kaluar në Maribor. Ndërkohë, Akil Gjakova, rrethin e parë e kalon pa luftë, ndërsa në të dytin përballet me Cedric Bessi të Monakos. Kampione e trefishë evropiane (2014, 2016 dhe2017) është Majlinda Kelmendi, e cila këtë herë mungon shkaku i lëndimit.

Garuesit në formë të mirë

Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, beson se xhudistët do të kenë paraqitje të mirë në këtë Evropian, derisa ka folur edhe për shortin. "Në këtë Evropian, mungon Majlinda, e cila ende është në rehabilitim të shpinës. Rehabilitimi shkon mirë dhe besoj se do të jetë e gatshme përKampionatin Botëror që mbahet në muajin shtator. Të gjithë garuesit janë të përgatitur në mënyrën më të mirë profesionale, dy përgatitje i kanë bërë jashtë vendit, një në Slloveni dhe tjetrën në Hungari dhe sipas plan-programit të trajnerit Driton Kuka. Janë të përgatitur, në top formë dhe shpresoj të kenë ditën e tyre. Tani shortin e dimë për të gjithë garuesit. Shorti më i favorshëm është për Distria Krasniqin. Konkurrenca është e fortë dhe gjithë garuesit luftojnë për plasman. Loriana e ka mjaft të vështirë, pasi që në luftën e parë ndeshet me kampionen aktual të Evropës përjuniore, sllovenen Apotekar. Loriana është një garuese me perspektiv dhe shpresoj se do të ngadhënjej edhe pse është mjaft e vështirë. Nëse ajo e kalon luftën e parë, mund të takohet me kampionen aktuale të Evropës, francezen Tcheumeo dhe njëherësh është medaliste olimpike. Shpresoj Loriana të ketë paraqitje të mirë sepse për të është Kampionati i parë për seniore. Gjithsesi është një përvojë e mirë për të ardhmen e saj. Shpresoj të kaloj garuesen e parë, pra sllovenen dhe lufta t'i marrim një nga një", është shprehur Agron Kuka.

Shpresa për medalje

Synimi si gjithmonë mbeten medaljet. "Atmosfera është e mirë, të gjithë garuesit janë të qetë, mjaft pozitiv, nuk e kanë ndonjë brengë sa i përket shortit dhe i njohin kundërshtaret, që do të thotë gjithë janë të qetë, vetëm e presim garën. Të enjten garojnë Distria e Nora, të premten Akili dhe të shtunën Loriana. Shumë shpresoj e besoj se nga Tel Avivi do të kthehemi me medalje, nuk dua ta ceki numrin, por nga një deri në katër medalje dhe krejt varet nga dita se si do ta kenë garuesit tanë. Akili është në formën më të mirë të mundshme. Me përgatitjet që ka bërë është një prej pretendentëve për medalje. Në këtë garë është kampioni aktual evropian, po ashtu nënkampioni aktual botëror, përveç japonezëve që nuk janë në këtë kategori me Akilin, të gjithë garuesit që janë në top 10- sh janë pjesëmarrës. Akili është njëri nga pretendentët", ka theksuar tutje kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës.

(Kosova Sot)