Prishtina triumfon përballë Bashkimit

  • 21 May 2018 - 08:44
Prishtina triumfon përballë Bashkimit

BARDHEKALTRIT FITOJNË TAKIMIN E TRETË TË SERISË FINALE 

Ethet e finales të "Play-off"-it në basketboll po vazhdojnë me Sigal Prishtinën, që ka fituar takimin e tretë përballë Bashkimit. Prishtinasit kanë triumfuar me rezultat 88:77, për të ngushtuar epërsinë 2:1 në finale, dhe për të bërë më të paqartë se kush do të fitojë titullin e kampionit. Ndeshja e radhës, e katërta e serisë finale, do të zhvillohet gjatë mesjavës në Prizren, dhe nëse Portokallinjtë fitojnë, atëherë, do të festojnë titullin e kampionit, por nëse fitojnë Bardhekaltrit, atëherë, do të zhvillohej edhe ndeshja e pestë në Prishtinë, pasi kryeqytetasit përfunduan garat e rregullta në vendin e parë.

Azemi, lider i Prishtinës

Prishtina ishte e vendosur për të shënuar fitore, dhe kjo u pa qysh në fillim të ndeshjes. Bardhekaltrit arritën që të fitojnë çerekun e parë 24:12, për t'iu treguar mysafirëve se nuk do të kenë aspak lehtë. Vendësit vazhduan të dominojnë edhe në periudhën e dytë, madje, e arritën edhe epërsinë më të lartë, 19 pikë, te rezultati 35:16. Kjo në një formë relaksoi prishtinasit se do të shënojnë fitore të lehtë, por kështu nuk ndodhi, pasi prizrenasit kishin ardhur për të fitore, madje, të mbështetur edhe nga tifozë, që ishin në numër më të madh se vendësit. Portokallinjtë hyjnë në një seri të suksesshme, dhe pjesa e parë përfundon 46:44 për vendësit. Por Prishtina nuk mund të bënte më gabime, dhe humbja do të thoshte lamtumirë për këtë edicion dhe përfundim i serisë finale 3:0. Kryeqytetasit fituan çerekun e tretë me rezultat 21:17 dhe atë të katërt 21:16, për të fituar në fund me rezultat 88:77. Lider i Prishtinës ishte kapiteni Edmond Azemi, i cili realizoi 30 pikë dhe udhëhoqi prishtinasit në këtë përballje. Përveç Azemit, Filip Bundoviq shtoi 19 pikë dhe dhjetë kërcime, Fisnik Rugova kontribuoi me 17 pikë e 12 kërcime, si dhe Valon Bunjaku me 15 pikë. Te Bashkimi u dallua Aaron Moss me 26 pikë, gjashtë asistime dhe gjashtë kërcime, derisa Mikaile Tmusiq shtoi 17 pikë dhe Eric Stutz 13. Tashmë përballja zhvendoset në Prizren, ku prizrenasit e kërkojnë titullin e parë në tre dekadat e fundit, derisa Prishtina të 13-in pasluftës.

Angazhim maksimal nga vendësit

Trajneri i Sigal Prishtinës, Andin Rashica, ishte i kënaqur me fitoren dhe përgëzoi lojtarët e tij. "Merita është e lojtarëve që kanë dhënë maksimumin në ndeshjen e sotme. Ata asnjëherë nuk janë dorëzuar dhe kemi arritur të fitojmë ndeshjen e tretë. Të gjithë janë angazhuar shumë. Kemi humbur disa topa në këtë takim, që nuk është dashur, megjithatë, në fund kemi fituar. Edo, Fisi, Valon Bunjaku, e të tjerët janë angazhuar për këtë fitore, dhe tashmë na pret ndeshja e katërt në Prizren. Normalisht ne nuk do të dorëzohemi deri në fund", ka thënë pas ndeshjes Andin Rashica. Bashkimi luajti një lojë krejtësisht tjetër për dallim nga dy ndeshjet e para, derisa ndihmëstrajneri Illmen Bajra, thotë se është ndier lodhja te lojtarët. "Sikur e kemi nënçmuar Prishtinën në këtë ndeshje. Gjithashtu është ndier loja te lojtarët, pasi nuk kemi pasur shumë kohë që të përgatitemi. Gjithsesi ndeshjen e katërt do ta zhvillojmë para publikut tonë, dhe do të mundohemi që të stolisemi me titullin e kampionit", theksoi pas takimit Bajra. 

 

(Kosova Sot)