Zvicra e publikon listën për Botëror, mungon njëri prej 5 futbollistëve shqiptarë

  • 26 May 2018 - 11:06
Zvicra e publikon listën për Botëror, mungon njëri prej 5 futbollistëve shqiptarë

Trajneri i Zvicrës, Vladimir Petkovic, e ka publikuar listën fillestare prej 26 futbollistëve për Botërorin Rusia 2018, me Admir Mehmedin që përfundimisht do ta humbasë turneun e verës.

Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri janë ftuar që të gjithë.

Për Mehmedin këtu përfundon një sezon mjaft zhgënjyes. Në vjeshtë, ai e humbi vendin e titullarit në Bayer Leverkusen dhe iu bashkua Wolfsburgut në janar. Në mes të shkurtit, 27-vjeçari lëndoi ligamentet në një ndeshje kundër Bayern Munich dhe u detyrua të operohej. Ndeshja e tij e fundit në Bundesligë ishte më 10 mars.

Ai nuk ka arritur të riaftësohet plotësisht nga lëndimi i ligamenteve dhe kështu do ta humbasë Kupën e Botës.

Mehmedi ka vendosur vetë të heqë dorë nga Botërori, duke thënë: “Ishte vendim që e mora me kokë, jo me zemër. Mendoj se do ta kisha shumë të vështirë t’i ofroja skuadrës atë që e pret nga unë, veçanërisht në një Kupë Bote. Kushdo që zë vendin tim, jam i sigurt se do të përshtatet në ekip”.

Petkovic do ta publikojë listën përfundimtare prej 23 futbollistëve më 4 qershor.

(Kosova Sot)