Udhëtoi për 30 ditë me traktor nga Gjermania, arriti në Rusi 2 orë para ndeshjes me Meksikën

  • 18 June 2018 - 10:31
Udhëtoi për 30 ditë me traktor nga Gjermania, arriti në Rusi 2 orë para ndeshjes me Meksikën

Një banor gjerman nga Neuhausen i Pforzheimit ishte nisur me traktor për ta parë ndeshjen midis Gjermanisë dhe Meksikës në Rusi, duke ndërmarrë një aventurë argëtuese.

Traktoristi gjerman ka udhëtuar për 30 ditë të tëra dhe dy orë para se të fillojë ndeshja e ka arritur cakun. “Ndjehem shumë mirë”, ka pohuar Huberth Wirth për mediat gjermane.

Pas një udhëtimi të gjatë, ai me automjetin e tij të zhurmshëm është gjendur para stadiumit ku do të zhvillohej ndeshja. Në rimorkion e tij që ka qenë e ngjitur në traktorin e tij, e kishte vendosur mbishkrimin: “Hallo Moskau”.

Mesatarisht, ai ka vozitur rreth 20 kilometra në orë, duke i kaluar plot 2.400 kilometra, ka rrëfyer Wirth, i cili bashkudhëtar e ka pasur qenin e tij me nofkën “Hexe”.

Udhëtimi, sipas tij ka qenë i shkëlqyeshëm. “Takimet me njerëzit kanë qenë gjëja më e mirë që më ka ndodhur”, ka theksuar Wirthi i gëzuar.

Se përse ai ka ndërmarrë këtë udhëtim me traktor, ai ka deklaruar se një gjë të tillë e ka hobi.

(Kosova Sot)