Krasniqi: Kampionat tërësisht i parashikuar

  • 21 June 2018 - 09:13
Krasniqi: Kampionat tërësisht i parashikuar

Portugalia, skuadra më e mirë deri më tash, sipas Besnik Krasniqit

"Duke u bazuar në këtë ritëm të deritashëm të këtij kampionati, them se deri në fund do të ketë shumë befasi. Lojtarët po e japin maksimumin për ta treguar veten dhe për t'i mbrojtur në mënyrën më të mirë të mundshme ngjyrat e shtetit të vet, kështu që më nuk ka kundërshtar të lehtë", ka thënë Besnik Krasniqi për gazetën "Kosova Sot

Me ndeshjet që u zhvilluan të martën në mbrëmje u është vërë perdja sfidave të para në grupe në Kampionatin Botëror "Rusia 2018". Pa dyshim ky kampionat si kurrë më parë është përballur me shumë befasi që në start, derisa për këto befasi u kujdesën emra të mëdhenj. Befasia më e madhe erdhi nga kampioni aktual, Gjermania, e cila u mposht në ndeshjen e parë nga Meksika. Për zhgënjim u përkujdes edhe Argjentina e Brazili, por për dallim nga Gjermania këto dy skuadra morën barazim. Barazim mori edhe Spanja por ajo së paku luajti një lojë shumë të bukur për sy përballë kampionëve të Evropës, Portugalisë. Një tjetër emër konkurrentë për titullin e kampionit të Botës, Franca, nuk bëri pothuaj asgjë ndaj Australisë edhe pse në fund arriti t'i marrë tri pikë të plota. Kjo edhe ka bërë që analistët kosovarë të futbollit të presin një garë tejet joshëse deri në fund. Në një bisedë për gazetën "Kosova Sot", futbollisti i mirënjohur kosovar, Besnik Krasniqi, ka analizuar dy ndeshje të grupit H dhe një të grupit A, që u luajtën të martën.

Salah i vetëm nuk mund të bëjë asgjë

Sipas ish-futbollistit të Prishtinës dhe Partizanit të Tiranës, Besnik Krasniqi, befasia me madhe e ditës së martë ka qenë humbja e Kolumbisë, nga e cila ka pritur shumë më shumë. "Humbja e Kolumbisë nga Japonia për mendimin tim ka qenë befasi, duke e pasuar parasysh ekipin shumë të mirë të Kolumbisë, i cili përbëhet me disa lojtarë tejet cilësorë. Por ja që ky kampionat edhe para kësaj ndeshjeje ka konfirmuar se më nuk ka kundërshtar të lehtë. Megjithatë, mendoj se kartoni i hershëm i kuq i Kolumbisë vendosi gjithçka në këtë sfidë", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Besnik Krasniqi. "Duke u bazuar në këtë ritëm të deritashëm të këtij kampionati, them se deri në fund do të ketë shumë befasi. Lojtarët po e japin maksimumin për ta treguar vetën dhe për t'i mbrojtur në mënyrën më të mirë të mundshme ngjyrat e shtetit të vetë", ka thënë Krasniqi, duke folur më pas edhe për ndeshjen Rusi - Egjipt. "Rusia i shfrytëzojë më së miri rastet e veta dhe me plot meritë fitoi. Në anën tjetër Egjipti më vetëm një lojtar Salah, nuk mundi të bëjë asgjë, gjë që është normale pasi vetëm një futbollist është e pamundur të kryej punë", vlerësoi për "Kosova Sot", mbrojtësi prishtinas.

Portugalia me hapa të sigurt

Fati deshi që ky kampionat të nis me një superpërballje siç ishte ajo ndërmjet Spanjës e Portugalisë e cila u mbyll me rezultat të barabartë 3:3. Të gjithë njohësit e futbollit vlerësuan lartë lojën e Spanjës, derisa Krasniqi ka thënë se ishte Portugalia ajo që i ka lënë më së shumti mbresa dhe se nga ky ekip pret shumë, ashtu siç bëri në Evropianin e Francës kur i befasoi të gjithë dhe u shpall kampion. "Pa dyshim është Portugalia skuadra që më ka lënë më së shumti mbresa në këtë kampionat dhe besoj se ky ekip do të vazhdojë kështu edhe në ndeshjet e radhës, edhe pse në takimin e fundit ndaj Maroco-t më shumë luajti për rezultat sesa për lojë të bukur. Portugalia ka një grup shumë të fortë dhe pavarësisht se e ka lojtarin më të mirë Cristiano Ronaldo, prapë Portugalia po funksionon si grup dhe nuk po bazohet vetëm në lojën e tij", ka përfunduar Besnik Krasniqi.

(Kosova Sot)