Një ndeshje Botërori me Kosovën në qendër, sonte Serbi – Zvicër

  • 22 June 2018 - 11:03
Një ndeshje Botërori me Kosovën në qendër, sonte Serbi – Zvicër

Si asnjëherë më parë, shqiptarët, sidomos ata nga Kosova, po ndihen të përfaqësuar nga futbollistët shqiptarë që luajnë për Zvicrën. Sot, duke filluar nga ora 20:00 luhet super sfida Serbi – Zvicër.

Paraqitja impresive e Valon Behramit ndaj Brazilit, në të cilën ndeshje ndali vazhdimisht Neymarin, por edhe paraqitjet e Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës e Blerim Xhemailit në atë sfidë, ka bërë që shqiptarët të ndiejnë se kanë "hise" në paraqitjen e Zvicrës në botërorin në Rusi.

Por, ndeshja ndaj Brazilit duket të ketë qenë vetëm "ngrohje", marrë për bazë interesimin e shqiptarëve për ndeshjen e Zvicrës me Serbinë, që zhvillohet sonte prej orës 20:00 në Kaliningrad.

Pritjet e tifozëve shqiptarë të futbollit janë që Behrami, Shaqiri, Xhaka e Xhemaili, të përfaqësojnë mirë shqiptarët në një ndeshje të veçantë dhe me peshë të madhe emocionale për shqiptarët, sidomos ata nga Kosova.

Një fitore e Zvicrës ndaj Serbisë me shkëlqim të shqiptarëve në fushë, vlerësohet se mund të jetë momenti kulmor i Botërorit për shumë prej tifozëve shqiptarë.

Gjithashtu, kjo fitore do të bënte që Zvicra të grumbullojë 4 pikë dhe duke parë që sfida e fundit luhet mes Serbisë e Brazilit, atëherë kualifikimi në mesin e 16 më të mirave do të ishte një ëndërr drejt realitetit.

Sfida tjetër në Grupin E zhvillohet mes Brazilit dhe Kosta Rikës, nga ora 14:00.

Gjatë ditës së sotme, do të zhvillohet edhe një takim tjetër – ajo mes Nigerisë dhe Islandës, rezultatin e të cilës po pret ta mësojë me padurim Argjentina, që varet shumë nga kjo sfidë për ecurinë në Botëror.


(Kosova Sot)