Në Argjentinë duan që Messi të pensionohet me të vërtetë

  • 22 June 2018 - 12:21
Në Argjentinë duan që Messi të pensionohet me të vërtetë

Debakli 3-0 i Argjentinës kundër Kroacisë ishte një dështim edhe për yllin e kësaj skuadre, Leo Messin.

Kritikat në Argjentinë janë të ashpra dhe gazetari i mirënjohur, Fernando Niembro, kërkon që 5 herë fituesi i Topit të Artë të heqë dorë  përfundimisht nga Kombëtarja.

Messi njëherë e kishte marrë këtë vendim, në vitin 2016, kur Argjentina kishte humbur në Copa Amerika kundër Kilit nga penalltitë, aty ku kishte dështuar vet ylli i Barcelonës.

Por, pas afër dy muajsh, me insistimin e miqve, trajnerëve dhe shumë të tjerëve, fituesi i 5 Topave të Artë”, ishte kthyer sërish në Kombëtare.

“Messi, u largove nga kombëtarja përpara disa vitesh. Nuk do të ishte keq po ta bëje sërish”, është titulli i opinionit të Niembros, i cili kritikon Messin se është bërë zot i përfaqësueses duke zgjedhur miqtë e tij. Gjithashtu, gazetari e kritikon Messin për faktin që nuk bën diferencën siç bën me Barcelonën.

Frazat më të rënda ndaj Leo Messit janë si më poshtë:

“Messi u bë zot i kombëtares argjentinase. Është trajneri i skuadrës sonë dhe vendosi që të fusë në formacion miqtë e tij. Dhe ja ku e keni rezultatin. Një ekip pa forcë, një ekip i vyshkur, një ekip pa zemër. Messi, kërkojmë prej teje që të luash me zemër. Je lojtari më i mirë. Kur ekipi rrëzohet, më të mirit të skuadrës i kërkohet që të japë dhe atë që nuk ka. Ti nuk e dhe. Boll më me mikun tënd Mascherano. Një herë e dhe dorëheqjen nga kombëtarja, nuk do të ishte keq që ta bëje sërish këtë gjë”. 

 

(Kosova Sot)