Shkëndija në Slloveni, tri miqësore të forta para Championsit

  • 22 June 2018 - 14:05
Shkëndija në Slloveni, tri miqësore të forta para Championsit

Pas Kukësit, edhe një tjetër skuadër shqiptare që luan në Champions transferohet në Slloveni për fazën përgatitore.

Shkëndija e Tetovës nisi punën në Rogashka Sllatina, me ekipin që është stërvitur me ngarkesë të lartë. Përpos përgatitjeve fizike, stafi teknik i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe miqësoreve, nëpërmjet të cilave do të synohet që kuqezinjtë të jenë gati për ndeshjet e turit të parë përballë uellsianëve të New Saints.

Testet do të zhvillohen ndaj kundërshtarëve mjaft të fort dhe me emër. Duke nisur nga dueli i kësaj të shtune përballë sllovenëve të Domzales, raporton SS. Miqësoret do të vijojnë më 27 qershor me kroatët e Osijekuit, skuadër në të cilën aktivizohet edhe ylli i Kombëtares, Eros Grezda, ndërsa më datën 1 korrik është planifikuar testi i fundit përballë ukrainasve të Vorskla Poltavas.

Pas miqësoreve dhe mbylljes së përgatitjeve në Slloveni, Shkëndija do të jetë gati për duelet me New Saints, me sfidat e para të turit të parë kualifikues në Champions që luhen në datat 10 dhe 11 korrik, ndërsa takimet e kthimit në datat 17 dhe 18.

Nëse kualifikohet në turin e dytë, ekipi tetovar do të luajë me fituesen e çiftit ndërmjet gjeorgjianëve të Torpedo Kutaisi dhe moldavëve të Sheriff Tiraspol.

 

(Kosova Sot)