Zvicër-Serbi, ndeshja që po krahasohet me atë të para 20 vjetëve SHBA-Iran

  • 23 June 2018 - 20:09
Zvicër-Serbi, ndeshja që po krahasohet me atë të para 20 vjetëve SHBA-Iran

Ishte ndeshje futbolli ndërmjet dy kombëtareve me kualitetit mesatar, por potencialisht më e rëndësishmja e gjithë Botërorit “Franca 98”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani, më 21 qershor të vitit 1998, u desh t’i linin anash hasmëritë mbi 20-vjeçare dhe të luanin futboll në Lyon.

Policia franceze, shkaku i marrëdhënieve të komplikuara ndërmjet shteteve, ishte bërë gati për trazira dhe kishte shtuar numrin e policëve, në atë që u vlerësua si ndeshja më politike e zhvilluar ndonjëherë.

20 vjet u desh të kalonin që një ndeshje tjetër të konsiderohet afërsisht e rëndësishme.
Padyshim më komentuara në Botërorin Rusia 2018, ndeshja Zvicër – Serbi, mori vëmendjen, shkaku i përballjes së shqiptarëve të Zvicrës me Serbinë.

Pyetja e parë me të cilën u ballafaqua lojtari i ndeshjes, Xherdan Shaqiri, ishte lidhur me simbolikën e festës së tij me duar pas golit të fitores.

“Nuk dua të flas shumë për këtë. Në futboll keni gjithmonë emocione. Mund ta shihni se ishte thjesht emocion dhe jam vërtet i lumtur që kam shënuar këtë gol dhe nuk ka gjë më shumë”.

Xhaka në anën tjetër, veprimin ka thënë se ua ka kushtuar mbështetësve të tij.
“Për ata që nuk më kanë lënë pas dore, në vendin tim ku janë rrënjët e prindërve të mi. Ishin thjesht emocione,” ka thënë Xhaka.

As dy selektorët e kombëtareve, nuk kanë dashur t’i komentojnë shumë veprimet e lojtarëve.

Mladen Kerstajiq, selektor i kombëtares së Serbisë, tha: “Nuk kam ndonjë koment. Kam thënë edhe më herët se nuk merrem me gjëra të tilla. Jam njeri i sportit dhe kjo është ajo çka kam për të thënë”.
Vladimir Petkoviq, selektor i kombëtares së Zvicrës, tha: “Kurrë nuk duhet t’i përzini politikën dhe futbollin. Është e qartë se emocionet shfaqen dhe kështu ndodhin këto gjëra”.

Por, simbolin e shqiponjës nuk e bënë vetëm shqiptarët, pasi në festë e sipër, një veprim të tillë e bëri edhe kapiteni zviceran, Stephan Lichsteiner.

Festën e kolegëve të tij e ka quajtur normale Lichstenier, që ka treguar se e di historinë e luftës falë rrëfimit të babait të njërit prej futbollistëve shqiptarë të kombëtares zvicerane.

Mediat më të mëdha ndërkombëtare, u kanë dhënë kontekst veprimeve të shqiptarëve, me shkrime për historinë e tyre dhe familjeve të tyre përballë regjimit të Serbisë.
Në anën tjetër, Federata Serbe e Futbollit, po kërkon që Xhaka e Shaqiri të sanksionohen për festën e tyre.

“Do t’i shkruajmë FIFA-s. Kishte disa veprime kontroverse dhe e pamë të gjithë se çka ndodhi me dy golat,” ka thënë sekretari i Federatës Serbe të Futbollit, Jovan Surbatoviq.

Përndryshe, ndeshja ndërmjet Iranit e SHBA-së kishte nisur me lojtarët iranianë, duke u dhuruar trëndafila të bardhë lojtarëve amerikanë dhe një foto të përbashkët, çka i kishte hapur rrugë një takimi miqësor ndërmjet kombëtarëve pak kohë më vonë.

Megjithatë, veprime të tilla në ndeshjet ku përfshihen futbollistë e kombëtare nga Ballkani, vështirë të ndodhin në një të ardhme të afërt.


(Kosova Sot)