Hashani: Mrekullia e shqiptarëve PO E MBAN ZVICRËN NË MAJE

  • 25 June 2018 - 09:02
Hashani: Mrekullia e shqiptarëve PO E MBAN ZVICRËN NË MAJE

ANALISTËT KOSOVARË VLERËSOJNË KAMPIONATIN BOTËROR "RUSIA 2018"

Kampionati Botëror i futbollit në Rusi vazhdon të sjellë ndeshje tejet interesante, të përcjella edhe me befasi të mëdha. Pas mrekullisë së shqiptarëve të Zvicrës që gjunjëzuan Serbinë, një tjetër spektakël e ka sjellë ndeshja Gjermani - Suedi, ku kampioni aktual, Gjermania, vetëm në frymën e fundit ka arritur të mbijetojë për t'i mbajtur gjallë shpresat për kualifikim. Ish- futbollisti i mirënjohur kosovar, Erdin Hashani, në një bisedë për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se arsyeja pse në këtë kampionat po ndodhin kaq të papritura është fakti që në futbollin modern loja bazohet në grup e assesi në individ. "Është shumë e vërtetë që deri tash kemi parë ndeshje tejet interesante ku siç po shihet në futbollin modern nuk ka favorit d.m.th. po vendos në të shumtën e rasteve grupi e jo individi, kush po e jep maksimumin edhe po shpërblehet. Prandaj për shumëkënd po ka befasi por secilën herë po e vërteton futbolli modern që nuk ka me pas më favorit", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Erdin Hashani.

Shqiptarët na bën krenarë

Hashani si të gjithë shqiptarët tjerë një vëmendje të posaçme i ka kushtuar paraqitjes së Zvicrës, përkatësisht katër shqiptarëve të cilët bën mrekullinë përballë Serbisë. "Ata na kanë bërë krenarë edhe po them se për neve ata janë ambasadorët tanë. Sa herë që po marrin pjesë në kampionate botërore e evropiane, gjithmonë po diskutohet Kosova, gjithmonë po diskutohet vendlindja e tyre, edhe pse Kosova nuk po merr pjesë në kampionate botërore të paktën në media gjithmonë po përmendet sa herë që po ka këso kompeticione", ka thënë Hashani për "Kosova Sot", duke shtuar se fitorja e Zvicrës mund të mos kishte shumë peshë sikur mos të kishin shënuar shqiptarët. "Atë fitore e ka bërë më madhështore fakti që lojtarët tanë shënuan dhe ja dhanë fitore, derisa kapaku ishte ai festimi me duar në formë të shqiponjës. Sigurisht që kjo humbje u dhemb shumë, e sidomos për faktin se u mposhtëm me golat e shqiptarëve. Këto fitore nuk është se i përjetojmë shpesh në jetë, kështu që faleminderit shumë atyre djemve për këto emocione qe na kane dhuruar. Për mua kampionati botëror ka përfunduar me atë fitore të Zvicrës kundër Serbisë!", ka thënë Hashani.

Gjermania me fat, Brazili jo në nivel

Sa u përket kombëtareve tjera, Hashani ka thënë se është dëshpëruar paksa nga Brazili, pasi ka pritur shumë më shumë, derisa për Gjermaninë beson se nëse e kalon grupin, atëherë mund të arrijë shumë më shumë. "Nga Brazili kam pritur më shumë, nuk ka qenë shumë dominues në këto dy ndeshjet e para, po skuadrat e mëdha sikur shkojnë duke u rritur pas çdo ndeshjeje dhe prapë Brazili mbetet një ndër pretendentët kryesor për ta fituar këtë botëror", ka thënë Hashani për "Kosova Sot", duke folur më pas edhe për Gjermaninë që mezi shpëtojë në fund të ndeshjes përballë Suedisë. "Sa i përket Gjermanisë, nëse e kalon grupin, do të ishte kombëtare shumë me fat. Ndeshja e fundit na e kujton atë thënien "loja luhet 90 minuta në fund fiton Gjermania". Gjithsesi, nga Gjermania të gjithë kanë pritur më shumë sepse të fillosh kampionatin me humbje është e vështirë dhe askush nuk e ka pritur këtë start nga Gjermania", ka thënë Hashani duke folur më pas edhe për pretendetët për titull. "Ka shumë ekipe të mëdha, por unë nuk mendoj që ndonjë pretendent kryesor duke e ditur se ekipet favorite nuk kanë tregu atë që është pritur. Gjithsesi, titulli do të diskutohet ndërmjet Brazilit, Gjermanisë, Belgjikës e Spanjës. Derisa unë do të doja që ky titull t'i takojë Zvicrës për shkak të djemve tanë që po shkëlqejnë aty", ka përfunduar Erdin Hashani.

 

(Kosova Sot)