“As në ëndërr lojtarët e mi nuk kanë mundur ta imagjinojnë se një ditë do të luajnë kundër Ronaldos, janë të entuziazmuar”

  • 25 June 2018 - 10:22
“As në ëndërr lojtarët e mi nuk kanë mundur ta imagjinojnë se një ditë do të luajnë kundër Ronaldos, janë të entuziazmuar”

Carlos Queiroz do të dërgojë ekipin e Iranit në fushë me respektin maksimal për Portugalinë, sfidë që zhvillohet sonte mbrëma, nga ora 20:00.

Irani e mposhti Marokun 1-0 në ndeshjen e parë në Grupin B, për të pësuar më pas humbje me të njëjtin rezultat nga Spanja, ndërsa tani kanë gjithçka në dorën e tyre – nëse duan kualifikimin në mesin e 16 më të mirave, duhet ta mposhtin Cristiano Ronaldon me shokë.

Carlos Queiroz, që dikur ka punuar me Ronaldon, ka treguar se lojtarët e tij mezi presin ballafaqimin me pesë herë më të mirin e botës.

“Nëse ndeshjet me Marokun dhe Spanjën ishin të vështira, ajo me Portugalinë është edhe më shumë. E dimë këtë, nuk kemi ardhur këtu për të luajtur ndeshje të lehta”, tha ai.

“As në ëndrrat e tyre lojtarët e mi nuk kanë mundur ta imagjinojnë se një ditë do të luajnë kundër Cristianos, dhe kundër krejt yjeve të Portugalisë, kështu që ata janë të entuziazmuar”.

“Do të tentojmë të bëjmë më të mirën, të jemi të koncentruar dhe të luftojmë nga minuta e parë. Nuk kemi asgjë për të humbur, ata kanë gjithçka për të humbur, kështu që kemi gjithçka për të fituar”.

“Gjithashtu shpresojmë edhe për pak fat që gjithmonë është e nevojshme”, shtoi mes tjerash trajneri i Iranit.


(Kosova Sot)