Sermaxhaj: Jemi shumë larg nivelit evropian

  • 12 July 2018 - 08:49
Sermaxhaj: Jemi shumë larg nivelit evropian

Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në Suedi

"Futbolli kosovar e them shumë sinqerisht është në nivel shumë të ulët dhe duhet kohë për ngritjen e nivelit. Shqetësuese për mua është kur i dëgjoj njohësit e futbollit (analistë, trajnerë, ishfutbollistë e futbollistë), që ia bëjnë qefin vetes, duke thënë se kemi ngritje", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Genc Sermaxhaj

Humbja e Dritës në sfidën e parë ndaj Malmo-s, në kuadër të rrethit të parë të Ligës së Kampionëve, ishte e pritshme, por ndoshta jo edhe me një rezultat të tillë, 3:0. Gjithsesi, ndeshja e së martës edhe njëherë e tregoi realitetin e futbollin tonë dhe deshëm apo jo duhet pranuar që jemi shumë larg klubeve evropiane. Malmo tregoi qartë se na duhet ende shumë punë për të qenë deri diku rival në garat ndërkombëtare. Ish- futbollisti i Dritës, Genc Sermaxhaj, tash njohës i futbollit, për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se ky është realiteti i futbollit tonë dhe kaq janë mundësitë tona. Sipas tij, është sukses i madh i Dritës që arriti deri në këtë nivel, pasi vërtet kushtet tek ne janë tejet të dobëta karshi kushteve ku punon në këtë rast Malmo e Suedisë. "Përvoja dhe cilësia e futbollistëve pastaj aftësitë teknikë dhe taktikë, aftësitë psikomotorike të futbollistëve, si dhe puna profesionale në kushte të jashtëzakonshme për punën e suedezëve të Malmo-s ishte përparësia e madhe ndaj futbollistëve të Dritës. Ne duhet të pajtohemi me realitetin, me mundësitë dhe punën që bëjmë. Ishte sukses që Drita arriti deri tek kjo përballje ndaj Malmo-s në rrethin e parë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Genc Sermaxhaj.

Malmo, e organizuar mirë në të gjitha repartet

Pas suksesit të Dritës në turneun e Gjibraltarit, kur e mundi kampionin e Andorrës dhe Gjibraltarit për gjilanasit Malmo ishte një test shumë i vështirë. Entuziazmi i futbollistëve të Dritës ishte i jashtëzakonshëm, pasi ata përveçqë përfaqësonin këtë skuadër me një fjalë përfaqësonin gjithë futbollin e Kosovës pasi ishte hera e parë që Kosova përfaqësohej në këtë nivel të garave. Megjithatë, mundësitë dallonin shumë nga dëshira në fushë. "Ka qenë e vështirë që futbollistët e Dritës të tregojnë më të mirën përballë një kundërshtari që luante mirë në pjesën defensive dhe në mesfushë, të cilët nuk lejonin hapësira të cilat i mbulonin shpejt dhe penalizonin idetë e Dritës të cilët e humbnin topin në pasimin e tretë. Përvoja dhe cilësia e kundërshtarit e asgjësonte mbrojtjen e hutuar të Dritës dhe në rastet e para ata shënuan me shumë lehtësi", ka thënë Sermaxhaj.

Dallimi edhe në përgatitjen fizike

Njëra nga shqetësimet më të mëdha për futbollin kosovar, përveç infrastrukturës, gjithmonë ka qenë edhe përgatitja fizike, e cila duhet pranuar që këtë herë u vërejt qartë që i takonte skuadrës mysafire nga Suedia. "Përgatitja fizike e futbollistëve të Malmo-s ishte në majën më të lartë kur e dimë se tani në Suedi zhvillohet diku mesi i kampionatit dhe forma e futbollistëve është maksimale. Tek Drita vërehej lodhja në pjesën e dytë dhe ra motivi pas rezultatit 2:0. Drita e meritoi të shënojë të pakën një gol, sidomos në fillim të ndeshjes kur patën dy-tri raste, por që nuk ia dolën", ka thënë Sermaxhaj, duke folur më pas për futbollin tonë në përgjithësi. "Futbolli kosovarë e them shumë sinqerisht është në nivel shumë të ulët dhe duhet kohë për ngritjen e nivelit, por shqetësuese është kur njohësit e futbollit (analistë, trajnerë, ish-futbollistë e futbollistë), ia bëjnë qejfin vetes, duke thënë se kemi ngritje. Gjithsesi, notë pozitive është për "Intelektualët" që ishin të mrekullueshëm dhe krijuan atmosferë të jashtëzakonshme", ka përfunduar, Genc Sermaxhaj.

(Kosova Sot)