Evropa Ligë: Eliminohen edhe Partizani e Luftëtari

  • 19 July 2018 - 22:39
Evropa Ligë: Eliminohen edhe Partizani e Luftëtari

Partizani nuk arriti të bëjë surprizën në Slloveni, ku u mposht me rezultatin 2-0 nga skuadra e Mariborit dhe i dha lamtumirën aventurës europiane për këtë sezon.

Skuadra e drejtuar nga Skënder Gega humbi 0-1 edhe në “Selman Stërmasi” javën e kaluar, por pikërisht loja e mirë në atë takim, kishte rritur shpresat për një kualifikim të mundshëm të të kuqve.

Gjithsesi në sfidën e sotme në Slloveni, Partizani rezistoi vetëm 31 minuta lojë, kur Dervisevic arriti të kalojë në avantazh vendasit e Mariborit. Duhet theksuar se të kuqtë goditën dy herë traversën, fillimisht me Atandën kur rezultati ishte 0-0 dhe më pas me Abdurrahimin vetëm pak minuta larg fundit.

Goli i dytë për sllovenët u shënua në sekondat e fundit të takimit, nga ana e Tavares, i cili vulosi edhe rezultatin 2-0 dhe kualifikimin me rezultatin total 3-0.

Pas humbjes së turpshme 5-0 në Letoni ndaj Ventspilsit, Luftëtari zhvilloi një tjetër paraqitje për t’u harruar në “Elbasan Arena”, në sfidën që përfundoi në barazim 3-3. Skuadra e drejtuar nga kroati Kostiç kali e para në avantazh me Shkurtajn, por letonezët përmbysën brenda 45-minutëshit të parë.

Reagimi i Luftëtarit erdhi në pjesën e dytë, duke u rikthyer sërish në avantazh, por deri në minutën e 93-të, kur skuadra e Ventspils shënoi golin e tretë dhe vulosi barazimin 3-3.

Kështu Luftëtari i jep lamtumirën Europës që në raundin e parë, në këtë pjesëmarrje historike për gjirokastritët. Ajo që evidentohet, është se ky Luftëtar pëson shumë lehtë golat dhe rreshtohet në mbrojtje si një skuadër amatore


 

(Kosova Sot)