Fjalimi i emocionues i Pogbas para finales së Botërorit kundër Kroacisë

  • 19 July 2018 - 23:40
Fjalimi i emocionues i Pogbas para finales së Botërorit kundër Kroacisë

Paul Pogba i Francës ka pasur një Kupë Bote të shkëlqyer dhe në të njëjtën kohë ka dëshmuar se kritikët e tij e kishin gabim, ndërsa fjalimi i tij energjik dhe emocionues para finales së Kupës së Botës kundër Kroacisë e ka pasur ndikimin e vet te bashkëlojtarët e tij.

Shumë pyetje rreth Pogbas janë ngritur që prej kthimit të tij në Manchester United nga Juventusi në verën e vitit 2016, por Botërori 2018 në Rusi ua ka mbyllur gojën atyre që ngritën zërin kundër tij.

Para finales së Kupës së Botës mes Francës dhe Kroacisë, të cilën e fituan francezët 4-2, Pogba mbajti këtë fjalim para bashkëlojtarëve:

 “Nuk dua të flas shumë.

Të gjithë e dimë ku jemi. Të gjithë e dimë çfarë duam ne. Të gjithë ne e dimë rrugën që e kaluam deri këtu. Në zemrat tona, në sytë tanë, mund ta shoh, që ne jemi të përqendruar. Djem, mos harroni, mund ta përsëris veten, por jemi vetëm 90 minuta larg një historie mahnitëse. Një ndeshje. Nuk e di sa ndeshje i kemi zhvilluar në karrierat tona, në jetën tanë. Por, këtu, e kemi një ndeshje e cila do të ndryshojë gjithçka. Do ta ndryshojë historinë.

Janë dy ekipe dhe një kupë. Edhe për ta vlen e njëjta, edhe ata e duan kupën. Ne e humbëm një finale, e dimë këtë. Por, këtu, ende e kemi [në zemër].

Sot, nuk do ta lejojmë një ekip tjetër të na e marrë atë që na takon. Sot, ne e shikojmë njëri-tjetrin dhe nuk do ta lejojmë ekip tjetër të na e marrë atë që është e jona.

Dua që ne sonte ta zëmë nga një vend në kujtesën e çdo francezi dhe të fëmijëve dhe nipërve të tyre... sot, 90 minuta për të shkruar historinë.

Prandaj, po ju shikoj, nuk dua të bërtas. Dua që ta dalim në fushë si luftëtarë, si liderë. Dhe më pas, dua të shoh lot, lot gëzimi jo sot trishtimi. Lot gëzimi në fushë dhe të gjithë duke puthur njëri-tjetrin, në rregull?”.

 

 

(Kosova Sot)