Diamond League starton me rekord të ri botëror

  • 21 July 2018 - 23:01
Diamond League starton me rekord të ri botëror

Atletika botërore regjistron një rekord të ri, atë të 3000 metrave me pengesa për femra, në Diamond League të Monacos. Ishte Beatrice Chepkoech ajo që e vendosi këtë rekord të ri, me 8’44″32 duke thyer atë të vendosur nga Ruth Jebet në Paris në 2016-ën, 8’52″78

Edhe në garën e meshkujve të 3000 metra me pengesa u regjistrua një rekord, ai i Diamond League. Ai që e arriti këtë ishte marokeni Sufiane El Bakkali me kohën 7’58″15 që përbën edhe rezultatin më të mirë personal të tij.

Garën e 100 metrave për femra në Diamond League e fitoi atletja nga Bregu i Fildishtë Marie Josee Ta Lou me 10.89 sekonda, e ndjekur nga bashkëkombësja e saj Murielle Ahoure dhe xhamajkania Elaine Thompson.

Për t’u regjistruar është edhe gara e 400 metrave për femra, që pati një rekord të Diamond League e regjistruar nga atletja nga Bahamas Shaunie Miller-Uibo me 48.98 sekonda.

E njëjta histori edhe në 1500 metra për meshkuj, ku fitoi keniani Thimothy Cheriuyot me kohën rekord të Ligës 3’28″41, ndërsa në garën e 800 m për femra triumfoi afrikano-jugorja Caster Semenya, me kohën rekord të mitingut 1’54″60. Ndërsa në garën e 200 m për meshkuj shkëlqeu amerikani Noah Lyles me kohën rekord të Ligës, 19.65 sekonda.


(Kosova Sot)