Ozil thyen heshtjen: Sikur ta refuzoja takimin me Erdoganin do të kishte qenë mosrespekt për paraardhësit e mi

  • 22 July 2018 - 14:50
Ozil thyen heshtjen: Sikur ta refuzoja takimin me Erdoganin do të kishte qenë mosrespekt për paraardhësit e mi

Mesfushori me origjinë turke i Kombëtares së Gjermanisë, Mesut Ozil, e ka thyer heshtjen rreth takimit shumë të kritikuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, para Kupës së Botës, duke u arsyetuar se takimi nuk ka qenë politik dhe se e ka bërë një gjë të tillë si shenjë respekti për vendin nga e ka prejardhjen.

Ozil bashkë me Gundogan, turkun tjetër që luan për Kombëtaren e Gjermanisë, u fotografuan pas takimit Erdoganin në Ambasadën e Turqisë në Londër, bashkë me sulmuesin e Turqisë, Cenk Tosun, në ditën kur lideri turk mbërriti në Angli për t’u takuar me kryeministren e Britanisë së Madhe, Theresa May, në muajin maj.

 

Ylli i Arsenalit, Mesut Ozil, dhe mesfushori i Manchester Cityt, Ilkay Gundogan, i dhuruan fanella me nënshkrimet e tyre liderit turk. Më pas, një fotografi e tre lojtarëve u postua në faqen zyrtare të Ozilit në Instagram.

Ata u kritikuan ashpër nga mediat dhe disa politikanë gjermanë, ndërsa Federata e Futbollit e Gjermanisë u kërkoi shpjegim futbollistëve. Takimi ndodhi në një kohë fushate para zgjedhjeve presidenciale në Turqi dhe futbollistët u akuzuan se e përkrahen Erdoganin

Numri 10-të i Arsenalit ka dalë me një shkrim të tij që e ka publikuar në rrjetin social në Twitter.

Reagimi i Mesut Ozil:

“Këto javët e kaluara më kanë dhënë kohë për të dhënë një reagim, dhe kohë për t’i menduar eventet e muajve të fundit. Si pasojë e kësaj, unë dua t’i shpërndaj mendimet dhe ndjenjat e mia për atë se çfarë ka ndodhë.

Ashtu si shumë njerëz të tjerë, origjina ime rrjedhë më shumë se nga një vend. Për derisa jam rritur në Gjermani, familja ime vinte nga Turqia. Unë kam dy zemra, një gjermane dhe tjetrën turke. Gjatë fëmijërisë sime, nëna ime më ka mësuar që të jem i respektueshëm dhe të mos e harrojë vendin nga vij, dhe këto janë vlera të cilave iu qëndroj mbrapa ende.

Në maj, e kam takuar presidentin Erdogan në Londër, gjatë një eventi për bamirësi dhe edukim. Ne për herë të parë jemi takuar në vitin 2010 pas ai dhe Angela Merkel e shikuan ndeshjen Gjermani vs- Turqi në Berlin. Që nga atëherë, rrugët tona kanë kaluar disa herë rreth globit. Unë jam i vetëdijshëm që fotografia jonë ka shkaktuar një polemikë në mediat  gjermane, edhe pse disa njerëz mund të më akuzojnë mua për gënjeshtra ose si një mashtrues, fotografia që e morëm bashkë asnjëherë nuk ka pasur ndonjë qëllim politik.

Siç thash më herët, nëna ime nuk më ka lejuar që ta humbas ndjenjën e origjinës, trashëgimisë dhe traditave familjare. Për mua fotografia me Erdoganin nuk ka qenë për kauza politike ose elektorale, ka qenë për mua dhe respektin që e kam për zyrën më të lartë të shtetit të familjes sime. Puna ime është futbolli dhe jo politika. Ne kemi biseduar për temën e njëjtë sa herë që takohemi –futbolli- pasi që edhe ai ka qenë futbollist në kohën kur ka qenë i ri.

Ndërsa mediat gjermane kanë portretizuar diçka tjetër, e vërteta është se nëse nuk do të takohesha me presidentin do të ishte një mosrespekt për origjinën time nga vi, dhe familjen time, të cilët janë krenarë për atë që kam bërë deri sot. Për mua, nuk është me rëndësi kush është president, ishte e rëndësishme që ka qenë presidenti. Respekti për zyrën politike është një koncept që besojë edhe Mbretëresha dhe kryeministrja Theresa e kanë bërë kur e kanë takuar Erdoganin në Londër. Nëse do të ishte president turk ose gjerman, veprimet do të ishin të njëjta.

E kuptoj që kjo është e vështirë për t’u kuptuar,  pasi që në shumë kultura të ndryshme lideri politik nuk mund të mendohet si i ndarë nga personi. Por në këtë rast, është ndryshe. Pa marrë parasysh se si do të ishte rezultati në zgjedhjet e kaluara, ose zgjedhjet para kësaj, unë përsëri do ta bëja fotografinë”.

Image

 



(Kosova Sot)