Jurgen Klopp me lajm shumë dëshpërues për tifozët e Liverpoolit

  • 22 July 2018 - 22:03
Jurgen Klopp me lajm shumë dëshpërues për tifozët e Liverpoolit

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka konfirmuar se portieri i porsablerë nga Roma, Alisson Becker, do të jetë zgjedhja e tij e parë në portë nga ky sezon, por thotë se Loris Kariusit do t’i jepet një mundësi tjetër për t’i treguar vlerat në “Anfield”.

Alisson u bë portieri në i shtrenjtë në botë pas kompletimit të transferimit nga Roma për 75 milionë euro në fillim të kësaj jave. Braziliani ka nënshkruar kontratë gjashtëvjeçare me Liverpoolin.

Si rrjedhojë, Alisson do të jetë zgjedhja e parë në portën e të kuqve, duke ia zënë vendin Loris Kariusit, i cili është shumë i padëshirueshëm nga tifozët e Liverpoolit pas gabimeve trashanike sezonin e kaluar.

Karius bëri dy gabime të pafalshme në humbjen e Liverpoolit 3-1 në finale të Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit sezonin që lamë pas, dhe tani kur pritej largimi i tij sidomos me ardhjen e Alissonit, Klopp konfirmon se ai do të jetë pjesë e skuadrës së tij.

“Ne e blemë Alissonin dhe është e qartë se ai do të jetë numër një te ne”, tha Klopp për Sky Sports. “Përndryshe, nuk do ta kishim paguar atë shumë aq të madhe”.

“Sa i përket Loris Kariusit, ky transferim s’është edhe aq i mirë. Por, kemi mjaft ndeshje prandaj të gjithë mund të luajnë. Ai ende ka mundësi të zhvillohet. Ai është portier i madh dhe ende mund ta shfaqë këtë me ne në të ardhmen”, shtoi ai.

(Kosova Sot)