Mourinho komenton thashethemet për largimin e Martial: Nuk mund të bësh çfarë të duash në jetë

  • 23 July 2018 - 10:02
Mourinho komenton thashethemet për largimin e Martial: Nuk mund të bësh çfarë të duash në jetë

Trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, e ka paralajmëruar Anthony Martialin se jo gjithmonë mund të bëjë çfarë të dëshirojë në jetë, ndërkohë që po spekulohet për largimin e francezit nga Old Trafford.

Agjenti i 22-vjeçarit në muajin e kaluar deklaroi se klienti i tij ishte i gatshëm t’i shqyrtonte mundësitë që do t’i ofrohen.

Pas transferimit të Alexis Sanchez në afatin e janarit, sulmuesi francez ka pasur minutazh të kufizuar loje te Djajtë e Kuq.

Gjatë një ndeshjeje parapërgatitore në SHBA, Mourinho është pyetur në lidhje me spekulimet për largimin e Martial.

“Nuk mund të bësh çfarë të duash në jetë, unë do të doja të arrija në Los Angeles, të stërviteshim në Los Angeles dhe t’i zhvillonim të gjitha pesë ndeshjet në Los Angeles dhe pastaj të mos udhëtonim, të mos e ndërronim hotelin dhe pastaj të ktheheshim në Mançester”.

“Do të doja të luanim ndaj Leicesterit të dielën, por duhet të luajmë të premten, prandaj në jetë nuk mund të marrësh gjithmonë atë që dëshiron”, ishte përgjigja ‘diplomatike’ e portugezit në lidhje me Martial.

 

Anthony Martial iu bashkua Unitedit në vitin 2015, ndërsa Djajtë e Kuq është dashur të paguajnë 65 milionë euro për të. 

(Kosova Sot)