Probleme me infrastrukturë, edhe 19 vjet pas luftës

  • 15 August 2018 - 08:43
Probleme me infrastrukturë, edhe 19 vjet pas luftës
Vetëm Prishtina ka nevojë për së paku për dy palestra  

Pavarësisht shumë premtimeve dhe nismave, njëri nga problemet kryesore në sportin e Kosovës, sidomos tek sportet me dorë mbetet infrastruktura. Klubeve u shkakton kjo shumë telashe dhe funksionimi i tyre varet shumë nga infrastruktura 

Në vitet e fundit, veçanërisht sportet me dorë (basketbolli, hendbolli e volejbolli) janë përballur me dy probleme kryesore, ai financiar dhe infrastrukturor. Derisa për problemin e parë shikohen shumë alternativa, në të dytin, problemi duket se është më i madh. Edhe 19 vjet pas luftës klubet sportive ballafaqohen me këtë problem, që u shkakton edhe shumë probleme tjera. "Mjerisht edhe pas 19 vjetësh pas luftës i tërë komuniteti sportiv po përballet me mungesë të infrastrukturës sportive", shprehet në fillim Naser Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Ai ka punuar me dekada të tëra në volejboll, duke qenë trajner dhe drejtor, si dhe Drejtor te Kosova.  

Nuk i plotësojnë kushtet Shumica e palestrave në Kosovë nuk i plotësojnë kushtet për gara, sidomos në stinën e dimrit, ku aktivitetet janë në vlugun më të madh. Sipas Krasniqit, vetëm Prishtina ka nevojë për dy palestra sportive. "Duke marrë parasysh faktin se nga përfundimi i luftës e deri më tani kemi një rritje të numrit të banorëve në kryeqytet, atëherë ishte dashur që të mendohet edhe për ndërtimin e dy palestrave sportive: një për gara të nivelit kombëtar dhe një të atij ndërkombëtar", thekson tutje Naser Krasniqi për gazetën "Kosova Sot", duke uar: "Jo që kjo nuk është bërë deri më tani, por edhe ato palestra që i kemi nuk i plotësojnë kushtet për gara ndërkombëtare. Njëra është djegur dhe nuk është rinovuar, kurse dy tjerat, e vogla e Pallatit të Rinisë dhe Sportit dhe '1 Tetori' nuk i përmbushin të gjitha kriteret. Asnjëra nuk ka ngrohje dhe ventilim. Problem tjetër është mirëmbajtja e tyre, derisa palestra '1 Tetori' menaxhohet mirë, palestra e Pallatit të Rinisë nuk ka menaxhim dhe mirëmbajtje të kënaqshme dhe të gjitha investimet e bëra në këtë palestër janë të kota", ka theksuar tutje njëri nga trajnerët më të suksesshëm në volejbollin e Kosovës për gazetën "Kosova Sot". Kryeqyteti ka shumë klube sportive që aktivitetet i zhvillojnë në palestër dhe shumë prej tyre kanë problem për t'u stërvitur, apo edhe për t'i zhvilluar ndeshjet.

Kërkohet një kompleks sportiv Krasniqi thekson se nevojitet që të ndërtohet një kompleks sportiv. "Për të gjitha këto probleme që e rëndojnë shumë sportin me dorë, përgjigje adekuate do të duhet të japin subjektet politike që e udhëheqin komunën dhe atë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Unë si sportist shumëvjeçar dhe njohës në aspektin i infrastrukturës sportive, them se pa hartimin e një projekti afatgjatë në lidhje me ndërtimin e një kompleksi sportiv, i cili do të ishte në shërbim të aktiviteteve sportive të ekipeve nacionale, ne do të kemi shumë problem ta ngritim sportin në nivel më të kënaqshëm", ka përfunduar Naser Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Problemi me infrastrukturë u pengon shumë klubeve dhe sportistëve në Kosovë, pasi nuk arrijnë të shfaqin tërë potencialin që kanë, derisa shumë herë funksionojnë në kushte të rënda. Duke shtuar këtu edhe problemet financiare me të cilat ballafaqohen, atëherë, ato shpesh funksionojnë nga vullneti i madh dhe pasioni për sportin. Edhe sa i përket aspektit financiar nuk është gjendur një zgjidhje e përgjithshme përkundër shumë premtimeve të dhëna deri më tani.

(Kosova Sot)