Godini tregon pse e refuzoi Manchester Unitedin

  • 15 August 2018 - 10:04
Godini tregon pse e refuzoi Manchester Unitedin

Mbrojtësi i Atletico Madridit, Diego Godin, e ka konfirmuar interesimin e Manchester Unitedit gjatë këtij afati kalimtar, por ka treguar se e ka refuzuar ofertën e tyre për arsye personale.

32-vjeçari është bërë një nga qendërmbrojtësit më të mirë në botë që kur ka filluar të luajë nën menaxhimin e trajnerit të klubit madrilen, Diego Simeone.

Ky talent dhe klauzola e tij në shumë prej 20 milionë eurosh bënë që “Djajtë e kuq” të kërkonin nga Atletico Madridi transferimin e qendërmbrojtësit uruguaian. Megjithatë, drejtuesit e klubit madrilen e refuzuan menjëherë ofertën e Manchester Unitedit duke i thënë se Godini kishte nënshkruar kontratë të re me klubin.

“Kam pasur oferta, por kam vendosur të qëndrojë për arsye personale dhe tani jam duke menduar vetëm për finalen e Superkupës Evropianë”, ka thënë Godin.

“Unë nuk e kam rinovuar kontratën me Atletico Madridin. Kam parë që ka pasur lajme për këtë gjë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur”.

Këtë afat kalimtar, Manchester Unitedi ishte në kërkim të një qendërmbrojtësi.  Ndër emrat e përfolur ishin Harry Maguire, Toby Alderweireld, Deigo Godin dhe Yerry Mina. Megjithatë, “Djajtë e kuq” nuk arritën ta transferojnë asnjërin prej tyre para mbylljes së afatit kalimtar për klubet angleze më 9 gusht. 

(Kosova Sot)