Superkupa e Evropës: Reali përballet me testin e pare pa Ronaldon kundër Atleticos

  • 15 August 2018 - 11:20
Superkupa e Evropës: Reali përballet me testin e pare pa Ronaldon kundër Atleticos

?Real Madridi do të luajë ndeshjen e parë të sezonit pa Cristiano Ronaldon sonte në orën 21:00. Ata do të përballen me rivalët e qytetit, Atletico Madridin, për Superkupën e Evropës në Estoni.

Çdo vit në Superkupën e Evropës ndeshet kampioni i Ligës së Kampionëve dhe kampioni i Evropa Ligës. Sezonin e kaluar, Real Madridi u shpallë kampion për të tretën herë radhazi në Ligën e Kampionëve, ndërsa Atletico Madridi mori medaljen e artë të Evropa Ligës pasi u eliminuan nga Liga e Kampionëve.

Trajneri i ri i Real Madridit, Julen Lopetegui, do ta ketë mundësinë e parë të fitojë trofe me klubin e tij të ri dhe ta dëshmojë veten se është zëvendësues i denjë për Zinedine Zidanen.

Dy klubet janë rivale me njëra-tjetrën, jo vetëm për shkak se janë nga i njëjti qytet, por edhe për shkak të konkurrencës mes tyre. Real Madridi ka fituar vetëm një nga dhjetë ndeshjet e fundit kundër Atletico Madridit për La Ligë. Megjithatë, Atletico Madridi kanë pësuar disfatë nga “Los Blancos” katër herë në Ligën e Kampionëve.

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, është i suspenduar për këtë ndeshje pasi që gjyqtari e kishte larguar nga ndeshja në gjysmëfinalen e Evropa Ligës kundër Arsenalit. Kjo është e treta ndeshje me radhe që ai po e vuan dënimin e tij prej katër ndeshjeve.

18-vjeçari Vinicius Junior, i cili është transferuar këtë verë nga Flamengo, pritet të bëjë paraqitjen e parë për sezonin e ri me Real Madridin, ndërsa mbrojtësi i transferuar nga Real Sociedadi, Alvaro Odriozola, do të mungojë për shkak të një lëndimi.

Në anën tjetër, lojtarët e rinj të Atletico Madridit, Thomas Lemari, Rodri, Nikola Kalinici, Gelson Martinsi dhe Santiago Ariesi, kanë udhëtuar të gjithë në Estoni. Në këtë ndeshje pritet të luajnë edhe kampionët e Kupës së Botës, Antoine Griezmann dhe Lucas Hernandez.

Nëse e fiton këtë ndeshje, Real Madridi do të bëhet kampion i Superkupës së Evropës për të katërtën herë brenda pesë viteve.

 

 

(Kosova Sot)