Kërcënohet dominimi spanjoll, reagon ashpër kreu i La Ligës

  • 17 August 2018 - 15:04
Kërcënohet dominimi spanjoll, reagon ashpër kreu i La Ligës

Largimi i yjeve nga kampionati spanjoll ka shqetësuar edhe vetë presidentin e La Liga-s, Javier Tebas, i cili në një konferencë për shtyp, ka sulmuar ashpër klubet italiane, me në krye Interin, por edhe francezët e PSG-së dhe anglezët e Manchester Cityt.

Verën e kaluar ishte Neymar që u transferuar në Francë, ndërsa këtë verë Cristiano Ronaldo iu bashkua Juventusit dhe Luka Modric kërkoi me ngulm largimin drejt Interit. Të gjitha këtyre u shtohen edhe refuzimet e shumta me të cilat është përballur Florentino Perez dhe që kanë shqetësuar ndjeshëm presidentin e Ligës.

“Shumë yje po largohen nga La Liga dhe pyetja që ngrenë të gjithë, është “pse po ndodh kjo?”. Ekzistojnë disa klube-shtet, që janë duke shkaktuar inflacion në merkato, duke blerë lojtarë për shuma marramendëse. Në disa skuadra ndodhin gjëra që nuk duhet të ndodhnin dhe këtu i referohem shifrës së shpenzuar nga PSG për Neymar dhe asaj të shpenzuar nga Juventusi për Ronaldon. Gjithashtu më habiti edhe Interi, që nuk ka para, por që ishte gati të joshte Modricin me paga që nuk dihet se nga do vinin. PSG dhe Manchester City, por ndoshta edhe Interi, janë klube që funksionojnë me mashtrime dhe tifozët e La Ligës duhet ta dinë këtë”, deklaroi Tebas.

Fuqizimi i ndjeshëm i Premierligës, PSG-së dhe në sezonin e fundit edhe i kampionatit italian natyrisht që ka shqetësuar ndjeshëm kreun e La Ligës, një kampionat skuadrat e të cilit kanë dominuar ligat evropiane dhe botërore në 5 sezonet e fundit.

Skuadrat e La Ligës kanë fituar 18 nga 19 trofetë ndërkombëtarë të luajtur deri tani dhe nëse Reali do të fitojë edhe Botërorin e klubeve në Dhjetor, atëherë bilanci do të shkojë 19 nga 20 kompeticione, ose dominim në masën 95%, që kërcënohet nga fuqizimi i skuadrave të tjera. 

 

(Kosova Sot)