Presidenti i Federatës së Futbollit të Gjermanisë flet përsëri për Ozilin

  • 19 August 2018 - 11:16
Presidenti i Federatës së Futbollit të Gjermanisë flet përsëri për Ozilin

Presidenti i Federatës së Futbollit të Gjermanisë, Reinhard Grindel, ka thënë se ndjehet keq që ylli i Arsenalit, Mesut Ozil, ishte ndjerë i braktisur nga Federata. Gjithashtu, ai e ka pranuar se mund të kishte përdorur një qasje tjetër më të mirë ndaj tij, mirëpo edhe Ozili është dashur të lëshonte një deklaratë pas fotografive me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Pas përfundimit të Kupës së Botës, Ozili, i cili ka origjinë turke, e postoi një letër trefaqëshe ku thoshte se ai po largohej nga Kombëtarja e Gjermanisë për shkak të racizmit dhe kritikave të padrejta me të cilat ishte përballur pas publikimit të një fotoje ku ai shihet bashkë me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoganin. Ai i fajësonte mediat gjermane dhe presidentit e Federatës së Futbollit të Gjermanisë, Reinhard Grindel, duke i akuzuar ata për racizëm.

“Sa i përket sulmit racist, unë mund të kisha marrë një qëndrim më të qartë dhe t’i qëndroja përkrah Mesut Ozilit. Duhet të kisha qenë më i qartë me fjalët e mia. Sulme të tilla janë të papranueshme. Pendohem që ai është ndjerë i braktisur nga Federata e Futbollit të Gjermanisë”, ka thënë Grindel.

“Është e rëndësishme ta theksoj se unë nuk kam thënë asgjë për performancën e tij pas Kupës së Botës. Për mua, është e qartë se ne duhet të fitojmë së bashku dhe të humbasim së bashku. Ta fajësojmë një lojtar për largimin tonë nga Kupa e Botës do të ishte absurde”.

“Pas fotografive me presidentin Erdogan, Ilkay Gundogani kishte lëshuara një deklaratë të qartë dhe të kuptueshme. Do të doja që Ozili të kishte bërë të njëjtën gjë, sepse e di nga bisedat me tifozët se edhe ata kishin dyshime për këtë çështje”.

“Kjo nuk duhet të keqkuptohet si kritikë e performancave të tij. Unë do ta kisha dashur që ai ta jepte një qartësim edhe nëse do ta fitonim Kupën e Botës”.

 

(Kosova Sot)