Humb rivaliteti NË SUPERLIGË

  • 20 August 2018 - 08:31
Humb rivaliteti NË SUPERLIGË
'Prishet' katërshja e madhe në basketbollin e Kosovës 

Rivaliteti mes katërshes së madhe, Prishtinës, Pejës, Bashkimit e Trepçës, ishte i madh në basketbollin e Kosovës në vitet e fundit. Me largimin e Pejës nga Superliga, nuk humb vetëm cilësia, por edhe shikueshmëria dhe rivaliteti. Edhe Trepça nuk është pa probleme, duke rrezikuar një edicion pa shumë derbi

S igal Prishtina, Peja, Trepça dhe Bashkimi kanë pasur rivalitet të madh ndërmjet tyre. Kur takoheshin ndërmjet veti këto skuadra, adrenalina ishte në maksimum. Kishte interesim të jashtëzakonshëm e polemika para e pas ndeshjes. Por, në vitin e fundit, kjo katërshe u 'prish' për shkak të krizës së Trepçës e Pejës. Megjithatë, gjendja më e rëndë pritet në këtë edicion, ku Peja është larguar nga garat, dhe pritet që të ketë rënie në cilësi dhe shikueshmëri. Por, gjithashtu humb edhe rivaliteti mes rivalëve të vjetër, pasi nuk është menduar më parë, garat në elitë pa skuadrën pejane. 

Ndikon në shikueshmëri Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, shprehet se largimi i Pejës do të ketë pasojë të mëdha në Superligë, sidomos në shikueshmëri. "Sigurisht se problemet e Pejës do të ndikojnë negativisht në shikueshmërinë në Superligës. Problemet e skuadrave kanë ndikim në cilësi, por normalisht edhe në shikueshmëri, sepse adhuruesit e basketbollit janë mësuar të shohin skuadra të forta në fushë, ku rivaliteti është në maksimum. Të gjitha këto probleme kanë lindur sepse nuk ka fare strategji nëpër klubet tona dhe pasojat janë të pritshme fatkeqësisht. Nëse skuadrat nuk arrijnë të riorganizohen, atëherë rrezikojmë që të kemi edhe një edicion më të dobët se ai që lamë pas, i cili ishte më i dobëti pasluftës, pikërisht për shkak të shumë problemeve, me të cilat u ballafaquan skuadrat tona. Nëse përballen me probleme të njëra, atëherë, nuk mundim as të flasim për shikueshmëri. Dihet se Peja është qytet i basketbollit, ku e duan shumë këtë sport. Duhet një strategji krejtësisht ndryshe të klubeve, sepse do të jetë e vështirë më pas që të këndellemi", është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot".

Reagimi i pejanëve Federata e Basketbollit e Kosovës nuk e licencoi Pejën për edicionin e ri, pasi sipas saj nuk i ka plotësuar borxhin ndaj FIBA-s, por edhe ndaj FBK-së. Megjithatë, të indinjuar ishin shumë pejanët, që thonë se po u bëhet padrejtësi. "Përkundër vështirësive, kemi gjete prapë forcën që të vazhdojmë përpara. Klubi ka qenë i dënuar padrejtësisht me disa vendime, që pa pasur mundësi financiare dhe eksperiencë për çështje të tilla juridike i kemi humbur rastet në gjykatën e arbitrazhit të basketbollit BAT. Për shkak të pamundësisë për të paguar borxhin, Klubi është dënuar me 5,000 franga dënim nga FIBA. Pas kësaj, na është caktuar afat deri më 15 shtator për të lëvizur me rastet sepse në të kundërtën, dënimin tjetër do të paguhej nga FBK. Me këtë rast, FIBA ka kërkuar nga Federata të ndërmerren masat dhe Klubi ose të shuhet ose të lëviz në aspektin e mbylljes së obligimeve. Klubi mblodhi forcat që të punoj në këtë drejtim dhe deri sot nga 3 rastet, një e kemi mbyllur me marrëveshje dhe dy të tjera kemi rënë në pajtim në parim dhe presim shumë shpejt finalizimin e tyre. Për dënimin prej 5,000 franga Klubi ka kërkuar nga FIBA që të mundësohet të paguhet me këste. FIBA përmes e-mail ka konfirmuar që Klubi ka lëvizur për rregullimin e borxheve dhe që dënimi prej 5,000 franga mos të jetë prioritet, por të jenë tre rastet e arbitrazhit dhe se dënimi mund të priste deri në një afat tjetër, i cili do caktohej më vonë", thuhet në reagimin e KB Pejës, duke shtuar: "Në ditët në vazhdim, Klubi do të kërkoj drejtësi në të gjitha organet, por në të njëjtën kohë do të tregoj se sa është Federata dhe njerëzit që mbajnë pozicione respektues të ligjeve. Do të shikojmë se si skuadrat tjera iu lejohet pjesëmarrja edhe pse ka vite që kanë humbur procese gjyqësore në Kosovë, dhe bile edhe ju është përmbaruar konto, e ata përsëri vazhdojnë aktivitetin në mënyrën me klandestine. Sot ne jemi viktimë e një hakmarrje të ulët, për mos përkrahjen e kësaj klike të interesave të ngushta (Për arsye konfidencialiteti ne nuk kemi publikuar marrëveshjet dhe dokumentet tjera, por të njëjtat janë në Federatë. Në një kohe të afërt do i publikojmë por pas afateve të caktuara nga palët). Ne kërkojmë nga FBK të rishqyrtoj vendimin e saj dhe të vendos drejt e jo për interesa personale ta shuaj klubin më të madh shqiptar", thuhet ndër të tjera në komunikatën e pejanëve.

(Kosova Sot)