Pogba sugjeron se Mourinhon s’e përgatiti siç duhet Unitedin, për ta shmangur humbjen ndaj Brighton

  • 20 August 2018 - 13:53
Pogba sugjeron se Mourinhon s’e përgatiti siç duhet Unitedin, për ta shmangur humbjen ndaj Brighton

Paul Pogba ka sugjeruar se Manchester Unitedi i Jose Mourinhos nuk ishte i përgatitur mjaftueshëm për t’u përballur me sfidën ndaj Brightonit në fundjavë.

“Djajtë e kuq” janë përballur me shumë kritika pas paraqitjes zhgënjyese kundër Birghtonit, të cilën e humben me rezultat 3-2.

Mourinho e ka pranuar pas ndeshjes se skuadra e tij bëri gabime të mëdha, por Pogba pohon tani se ekipi nuk ishte përgatitur mirë për ballafaqimin me skuadrën e Brightonit, që bëri paraqitje shumë të mirë duke i fituar pikët e plota të dielën.

Për paraqitje shumë të dobët u theksuan dy qendërmbrojtësit Eric Bailly dhe Victor Lindelof, gabimet e të cilëve në mbrojtje i kushtuan Unitedit me humbje.

Por, edhe Pogba e pranon një pjesë të fajësisë për këtë humbje, i cili ka thënë për BBC: “E di që humba shumë topa, gjë që nuk duhet t’i ndodhë një mesfushori. E di që humba topa duke tentuar t’i luaj thjesht, por kur s’e ke ditën, s’e ke”.

“Mendoj se ata u përgatiten për ndeshje shumë mirë, shumë më mirë se ne”, shtoi ai. 

(Kosova Sot)