“Mourinho po shndërrohet në Wenger, po prish gjithçka”

  • 21 August 2018 - 10:35
“Mourinho po shndërrohet në Wenger, po prish gjithçka”

Trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, rrezikon të ketë përfundim si të Arsene Wengerit në Arsenal, duke prishur gjithçka çka ka ndërtuar deri tani, përfshirë reputacionin e vet, thotë ish-sulmuesi i Arsenalit, Ian Wright.

Pasi gëzoi sukses të menjëhershëm kur e mori drejtimin e Unitedit – duke i fituar tre trofe në sezonin e tij debutues – ish-trajneri i Chelseat, Interit dhe Real Madridit e mbaroi sezonin e kaluar, 2017/18, duarthatë.

Zhgënjimi në tregun veror të transferimeve, gjatë të cilit dështoi t’i sjellë në klubet objektivat kryesore, e ka lënë Mourinhon duke u ankuar dhe me shumë punë për t’u bërë në një skuadër të cilën e konsideron hiç më të mirë se ajo me të cilën e përfundoi sezonin e kaluar me 19 pikë më pak se rivali dhe fituesi i Premierligës, Manchester City.

Wright i ka shpjeguar për Sun ngjashmëritë mes situatës aktuale të Mourinhos dhe sezonit në të cilin Wengeri e la Arsenalit pas plot 22 viteve.

“Gjëja më pikëlluese kur e shoh Manchester Uniedin e Jose Mourinhos? Sado që e respektoj si trajner, nuk mendoj se do t’ia dalë t’i kthejë gjërat për së mbari”, tha ai.

“Të gjithë ne e dimë për Josen dhe sindromin e vitit të tij të tretë. Por, kur e dëgjon duke folur, ta jep ndjesinë sikur e ka pranuar edhe vetë. Më bën të bërtas ‘Do të përfundosh si njëri prej më të mirëve në histori, por mënyra sesi po vepron do ta prishë çdo gjë që ke bërë’”, theksoi ai.

“Në shumë mënyra, është ngjashëm si ditët e fundit të Arsene Wengerit në Arsenal”, shtoi ai

(Kosova Sot)