Garcia: Roma luan për fitore me Juventusin

  • 29 August 2015 - 15:14
Garcia: Roma luan për fitore me Juventusin

Në një kohë që flitet ende për merkaton, në derën e Romës troket ndeshja më e rëndësishme e sezonit në Serie A. Edhe pse është vetëm java e dytë e kampionatit, skuadra kryqeytetase hap dyert e Olimpicos për të pritur Juventusin në një sfidë që vitet e fundit ka prodhuar spektakël, gola por edhe shumë tension. Trajneri i ekipit verdhekuq, Rudi Garcia e pranon se kjo sfidë që ka një peshë të madhe për sezonin, vjen shumë shpejt, ende pa ngrohur motorin e ekipit të tij.

“Merkatoja është e hapur por nuk duhet të interferojë në mendjet e lojtarëve. Duhet të jemi të përqëndruar dhe të mendojmë vetëm për fitoren. Dua të shikoj ritëm të lartë dhe një skuadër me dëshirë për të fituar. Në Itali është diçka e rrallë të luash ndeshje kaq të mëdha që në fillim por unë jam mësuar. Do të jetë një ndeshje e bukur edhe pse asnjë skuadër nuk është gati që në start. Ne kemi punuar shumë dhe mbetemi një skuadër e niveleve të larta”.

Duke hequr të dëmtuarit Rüdiger e Strootman, Garcia thekson se do të grumbullojë të gjithë emrat që ka në dispozicion, përfshirë këtu edhe argjentinasin Iturbe që është shumë pranë Genoas. Gjithsesi, francezi nuk zbulon asnjë detaj përsa i përket formacionit që do të hedhë në fushën e lojës.

“Totti dhe Dzeko? Mund të luajmë në shumë mënyra. Digne nuk do të luajë që nga minuta e parë edhe pse ka thënë se është gati. Këtë vendim e mora për të mbrojtur skuadrën dhe mbi të gjitha lojtarin nga presioni që mund të ketë në këtë sfidë”.