“Çmendet” Manchester United, 100 mln Euro për Robben

  • 29 August 2015 - 16:28
“Çmendet” Manchester United, 100 mln Euro për Robben

Manchester-i është mbreti i merkatos së verës. Lajmet më të fundit rreth transferimeve flasin për një betejë milionash të fituar nga City dhe United. Pas 76 milionëve të shpenzuara nga “citizens” për De Bruyne, “Djajtë e Kuq” kundërpërgjigjen me një tjetër ofertë të frikshme. Louis van Gaal është gati të paguajë 100 milionë Euro në dorë për të afruar në “Old Trafford” Arjen Robben. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta e Vendeve të Ulëta, “De Telegraaf”.

Holandezi fluturues i Bayern Munchen është goditja e madhe me të cilin United synon të mbyllë merkaton. Një lojtar i aftë të vrapojë me shpejtësi 37 kilometër në orë, i cili kombinon në mënyrë perfekte lojën dinamike me teknikën e jashtëzakonshme.

Kualifikimi në Champions dhe synimi për t’u rikthyer në ekipin që dominon kampionatin anglez e shtyjnë Van Gaal që të mos kursehet për një futbollist që cilësohet thelbësor për të rritur nivelin e lojës së Manchester United.

Pak rëndësi ka nëse Robben është 31 vjeç dhe sapo është rikuperuar nga një dëmtim muskulor që e la jashtë fushave në momentin më të rëndësishëm të Bayernit. Pasi u mahnitën nga Depay, tifozët në “Old Trafford” ëndërrojnë edhe afrimin e Arjen Robben. Një ëndërr mëse e realizueshme, pasi duket e vështirë që në Mynih të rezistojnë përballë 100 milionë Eurove për një lojtar që është në fundin e karrierës.