Lyon “poker” ndaj Caen

  • 29 August 2015 - 19:18
Lyon “poker” ndaj Caen

Lyoni siguroi fitoren e dytë në Ligën e Parë franceze në transfertë me Caen, të cilën e mposhti me rezultatin e pastër 0-4. Formacioni i Houbert Furnier tregoi edhe një herë se di ta menaxhojë më mirë situatën në fushën kundërshtare ku ka marrë pikë të plota, ndërsa në Stade de Gerland ka barazuar 0-0 me Lorient si dhe është mundur 1-2 nga Rennes.

Nabil Fekir, i cili kishte shënuar golin e vetëm për Lyonin në tri ndeshjet e para rezultoi vendimtar në këtë sfidë me një tregolësh.

22-vjecari e gjeti fillimisht rrugën e rrjetës në minutën e 18-të me një goditje tepër të saktë në shtyllën e djathtë, ndërsa në minutën e 44 shfrytëzoi një pasim të saktë të Tolisso, duke dyfishuar rezultatin. Në pjesën e parë Caen iu afrua golit në dy raste me Andy Delort, goditjet e të cilit përfunduan mbi traversë.

Në minutën e 57 sulmuesi me origjinë algjeriane i asistuar nga Valbuena, i dha goditjen përfundimtare skuadrës së Caen, ndërsa Bovy me një diagonale të pakapshme për portierin Vercutre vulosi shifrat në 0-4. Nga minuta e 73-të vendasit luajtën me një lojtar më pak pasi mbrojtëi Da Silva u ndëshkua me karton të kuq.