Xhamajka fiton garën e 4×100 m në Pekin

  • 29 August 2015 - 20:18
Xhamajka fiton garën e 4×100 m në Pekin

Usain Bolt koleksionon medaljen e tretë të artë brenda javës dhe të 11 gjithsej në karrierë, në këtë aktivitet, falë triumfit në stafetë të skuadrës së Xhamajkës. Ndër ngjarjet më të rëndësishme të ditës së parafundit në kampionatin e 15 botëror të atletikës ishte pikërisht zhvillimi i garave të stafetës për meshkuj dhe femra, sidoqoftë në të dy rastet lavdia shkoi për ekipin nga Karaibet. Te meshkujt katërshja Carter – Powell – Ashmeade – Bolt regjistroi kohën 37″36 duke mundur skuadrën e Shteteve të Bashkuara, që përbëhej nga kuarteti Bromell – Gatlin – Gay – Rodgers, megjithatë vlen të përmendet fakti që ekipi amerikan ishte disa metra në avantazh përpara këmbimit të fundit ku gabuan atletët Tyson Gay dhe Mike Rodgers. Në përfundim të garës stafeta e Shteteve të Bashkuara jo vetëm që pësoi disfatën e radhës nga skuadra e Xhamajkës por gjithashtu edhe u skualifikua duke i lëshuar kështu medaljet e argjendta Kinës që mori një vend të dytë historik në këtë disiplinë, ndërsa podiumi u kompletua nga Kanadaja që la prapa për vetëm 0.02″ ekipin e Gjermanisë.

Te femrat gjërat shkuan akoma më mirë për ekipin xhamajkan teksa katrëshja Campbell – Brown, Morrison, Thompson, Fraser – Pryce dominoi garën nga fillimi në fund duke e ndalur kronometrin në kohën 41″07, rezultat ky që përbën kohën e dytë më të shpejtë për të gjitha kohërat. Rekordi botëror 40″82 mbahet nga ekipi i Shteteve të Bashkuara me emra të tillë si Tianna Madison, Allyson Felix, Bianca Knight, Carmelita Jeter dhe është vendosur në Londër, në Lojërat Olimpike, gjithsesi në Pekin skuadra amerikane e mbylli garën me kohën 41″68 ndërsa podiumi u kompletua nga skuadra e re e Trindidad Tobagos me kohën 42″03, që përvecse përmirësoi rekordin kombëtar mbajti pas për vetëm 0.05″ ekipin e Britanisë së Madhe. Një tjetër ngjarje e rëndësishme ishte edhe rekordi i parë dhe i vetëm botëror i këtij kampionati, pikërisht në 10-garësh ku “Supermeni Amerikan” Ashton Eaton e mbylli konkurrimin e tij me 9.045 pikë vetëm 6 më tepër se rekordi i mëparshëm që mbahej nga po ai vetë, megjithatë për të regjistruar një rezultat të tillë 27-vjecari nga Oregoni duhej të siguronte një kohë poshtë murit 4′ 18″ në garën përmbyllëse të 1.500 metrave dhe në fakt Eaton e ndali kronometrin në 4′ 17″ 52, që është e barazvlefshme me plot 829 pikë. Vendin e dytë e zuri atleti kanadez Damian Warner me 350 pikë më pak, ndërsa medaljen e bronzit e meritoi sportisti gjerman Rico Freimuth.

Histori më vete edhe ajo e atletit britanik Mo Farah që falë strategjisë së tij priti momentin e duhur për të fituar pikërisht në 100 metrat e fundit garën e 5.000 metrave. Kështu atleti me origjinë nga Somalia e mbylli garën me kohën 13’50″38 duke fituar medaljen e dytë të artë në këtë botëror pas suksesit në 10.000 metra, por njëkohësisht për 32-vjecarin ky është triumfi i tretë i dyfishtë radhazi, pasi Mo Farah ka fituar në 5.000 dhe 10.000 metra gjithashtu edhe në Olimpiadën e Londrës dhe Botërorin e Moskës. Në kërcim së larti për femra tre atlete e mbyllën konkurrimin në lartësinë 2.01 metra, sidoqoftë për 2 herë kampionen e botës Blanka Vlasic rezultoi fatal një gabim në lartësinë 1.92 dhe nga kjo përfitoi 22-vjecarja ruse Mariya Kuchina që rrëmbeu medaljen e artë, ndërsa rusja tjetër kampionia olimpike Anna Chicherova u mjaftua me vendin e tretë.

Në hedhjen e diskut fitoi veterani polak Piotr Malachowski me 67.40 metra, gjysmë metri më shumë se belgu me origjinë bullgare Philip Milanov, ndërsa podiumi u kompletua nga polaku tjetër Robert Urbanek. Për momentin Kenia dhe Xhamajka kanë nga 6 medalje të arta, megjithatë përfaqësuesja afrikane mund të ishte më shtatë të tilla nëse nuk do të gabonte taktikisht atletja favorite dhe mbajtësja e kohës më të mirë të vitit Eunice Jepkoech Sum që preferoi të sulmonte që në filllim duke mbajtur kreun. Në fund medalja e artë shkoi për atleten bjelloruse Maryna Arzamasova, ndërkaq Sum përfundoi me medaljen e bronztë pasi u kalua në fund edhe nga atletja kanadeze Melissa Bishop.