Zero gola, Messi e Ronaldo çfarë nuk shkon?

  • 30 August 2015 - 12:05
Zero gola, Messi e Ronaldo çfarë nuk shkon?

Dy javë kampionat dhe zero gola, Ronaldo dhe Messi nuk na kanë mësuar me të tilla shifra, që kur të dy kanë nisur të luajnë me Realin dhe Barcelonën, por ky vit duket se nuk ka nisur në mënyrën e duhur për ta, të paktën në marrdhënien me golin. Barcelona dhe Reali fituan, e para sërish me një gol ndërsa madrilenët me një goleadë, por në të dyja rastet mungoi protagonizmi i dy lojtarëve më të mirë në Botë. Messi, për herë të fundit që nuk shënonte asnjë gol në dy javët e para ishte në vitin 2007, por në atë periudhë nuk ishte ende lideri i blaugranave. Sigurisht golat me pikatore të katalanasve në këto javë të para kanë pasur ndikimin e tyre, ndërsa te Reali, Ronaldo shpesh u shfaq dhe nervoz gjatë ndeshjes pas ndonjë rasti të humbur, si për të treguar se dhe ai e ndjen mungesën e dërgimit të topit në rrjetë. Sigurisht për dy futbollistë që janë mësuar të shënojnë minimalisht nga 50 gola në sezon, një fillim i tillë është i vështirë ndoshta dhe në aspektin psikologjik, aq më tepër që të dyve përvec golit i ka munguar dhe asisti. Sigurisht të flasësh për një Barcelonë e Real pa protagonizmin e të dyve duket paksa e vështirë, por është fakt se të dy lojtarët deri tani nuk kanë qenë vendimtarë në pikët e skuadrës së tyre. Gjithsesi, ky është vetëm fillimi, dhe Messi me Ronaldon me siguri do të ndezin shumë shpejt motorrët, por deri atëherë të gjithë do të flasin për rastin e cuditshëm të dy yjeve të futbollit botëror, pasi zero gola në dy javë për këta lojtarë, është vërtetë e cuditshme.