Nadal gati për US Open: Jam pranë formës më të mirë

  • 30 August 2015 - 13:14
Nadal gati për US Open: Jam pranë formës më të mirë

Rafael Nadal është gati për Grand Slam-in e fundit të vitit Us Open. Tenisti spanjoll i cili ka rrëshkitur shumë poshtë në klasifikimin e përgjithshëm Botëror teksa aktualisht pozicionohet në vendin e 8-të, shprehet se pak nga pak po arrin formën e tij më të mirë dhe Us Open vjen në momentin ideal për të.

” Niveli i tenisit që po luaj aktualisht është pranë atij më të mirit tim. Është ende herët për të thënë se jam kthyer ai i dikurshmi por pas një viti të vështirë, me dëmtime të njëpasnjëshme, ndjej se po arrij formën time maksimale”.

Gjithsesi Rafa Nadal qëndron me këmbë në tokë kur pyetet për shanset që ai ka për të fituar trofeun në Us Open. Në Grand Slam-in amerikan 29-vjecari iberik ka triumfuar në dy raste në të kaluarën pikërisht në vitet 2010 dhe 2013-të.

” Fakti që po arrij formën time më të mirë nuk do të thotë që do të fitoj në Us Open, por mendoj se asnjëherë nuk jam ndierë kaq i fortë sa tani në 2 apo 3 muajt e fundit. Nuk mund të them se sa larg do të shkoj në Us Open por jam i bindur se gjatë kësaj periudhe mund të fitoj disa turne”.

Ish numri 1 i Botës dhe fituesi i 14 turneve Slam do ta nisë aventurën e tij në Us Open ndaj talentit kroat Borna Coric, ndërsa nëse kalon me sukses 4 raundet e para, në cerekfinale Nadal mund të ketë përballë liderin e klasifikimit Atp serbin Novak Djokovic.