Ajaxi pa rivalë, bën “poker” fitoresh

  • 30 August 2015 - 15:52
Ajaxi pa rivalë, bën “poker” fitoresh
Ajaxi i Amsterdamit nuk njeh rivalë në Eredivisie. Formacioni i drejtuar nga Franck De Boer, koleksionoi fitoren e 4-t në po aq ndeshje teksa mundi në Amsterdam Arena me rezultatin 4-0 skuadrën e Ado Den Haag. 12 pikë, 12 gola të shënuar dhe asnjë i pësuar harkëtarët hedhin në këtë mënyrë kandidaturën për titull në Holandë duke u treguar të gjithë rivalëve se këtë sezon janë rikthyer fuqishëm. 16 minuta i mjaftuan Ajaxit për të zhbllokuar rezultatin me El Ghazin që shfrytëzoi një pasim të Davy Klaassen. 4 minuta më pas sulmuesi me origjinë marokene i ktheu reston mesfushorit me Klaassen që realizoi golin e avantazhit të dyfishtë për skuadrën kryeqytetase. Harkëtarët trefishuan shifrat me qëndërmbrojtësin Joel Veltman që i asistuar nga Gudelj mposhti për herë të tretë në këtë sfidë portierin e Addo Den Haag, Hansen që pak javë më parë ndaj Psv Eindhoven realizoi një supergol në castet e fundit duke i dhënë një pikë skuadrës së tij përballë kampionëve në fuqi të Holandës. Për të vendosur në kasafortë suksesin e Ajaxit mendoi sërish El Ghazi që pas një topi të marrë nga Milik realizoi golin e dytë personal dhe të 4-tin për të besuarit e Franck De Boer.