Javier Hernandez te Bayer Leverkusen

  • 31 August 2015 - 11:35
Javier Hernandez te Bayer Leverkusen

Eksperiencë e re në Bundesligën gjermane për Javier Hernandez. Chicarito largohet nga Manchester United për t’u transferuar te Bayer Leverkusen me të cilët ka arritur marrëveshjen për një kontratë 3-vjecare. Ish sulmuesi i Realit të Madridit e kishte shumë të vështirë të gjente hapësira në formacionin e Djajve të Kuq, madje një penallti e humbur nga meksikani në sfidën e kthimit në play-offin e Championsit ndaj Club Brugge bëri që trajneri Louis Van Gaal ta humbiste edhe atë pak besim që kishte te Chicarito. Në këtë mënyrë Hernandez zgjodhi Leverkusenin për të vijuar karrierën.

Te Aspirinat 27-vjecari do të luftojë për një vend titullar në majën e sulmit me gjermanin Stefan Kiessling. Sipas asaj që raportojnë mediat angleze blerja e kartonit të futbollistit meksikan nga Manchester United i kushtoi Bayer Leverkusenit 12 milionë Paund, rreth 16 milionë Euro. Sezonin e kaluar Javier Hernandez luajti në formë huazimi te Reali i Madridit me të cilët zhvilloi 33 ndeshje dhe shënoi 9 gola, por pavarësisht disa paraqitjeve të mira, në fund sezonit Los Blancos vendosën të mos e blenin kartonin e tij nga Manchester United.

Përfundon pas 5 vitesh aventura e Chicaritos me Djajtë e Kuq. 27-vjecari numëron 159 ndeshje me fanellën e 20-herë kampionëve të Anglisë dhe 59 gola të shënuar.