Juventusi më i dobët prej vitit 1912

  • 31 August 2015 - 14:15
Juventusi më i dobët prej vitit 1912

Disfata me Romën evidentoi problemet e Juventusit në këtë start të sezonit të ri. Dy humbje në ndeshjet e para bardhezinjtë nuk i kishin pësuar asnjëherë në Serinë A italiane. Për të gjetur një ecuri kaq të dobët, duhet të kthehesh në vitin 1912, kur kampionati italian ende nuk ishte unifikuar në një grup të vetëm. Por, rreth paraqitjes së bardhezinjve ekziston një tjetër e dhënë shqetësuese.

Vetëm një goditje drejt portës në pjesën e parë të lojës me Romën. Diçka që nuk ndodhte prej sezonit 2004-2005. Më dobët se kaq, kampionët e Italisë dhe nënkampionët e Europës nuk mund ta nisnin edicionin. Goli i shkëlqyer i Pjanic nga goditje dënimi ishte një plagë e dyfishtë për tifozët bardhezi. Përveçse i hapi rrugën fitores së verdhekuqtë, boshnjaku i kujtoi të gjithëve se Juventusit i mungon Andrea Pirlo.

Me largimin e mesfushorit, por edhe të Tevez e Vidal, “Zonja e Vjetër” humbi personalitetin. Rinovimi i skuadrës është një strategji inteligjente. Megjithatë, largimi njëkohësisht i disa elementëve që ishin lider në fushë por nuk rezultoi zgjedhja më e goditur. Juventusi ka humbur kualitetin dhe lojën e fort, ndërsa skuadra nuk duket aspak e freskët fizikisht. Kjo i dha mundësi rivalëve për titull të dominonin 87 minuta në fushë.

Këtyre elementëve u shtohen zgjedhjet e diskutueshme të trajnerit Allegri. Drejtuesi i stolit nuk tregoi kurajë të aktivizonte prej fillimit dy përforcime cilësore si Alex Sandro dhe Cuadrado, ndërsa për arsye teknike la jashtë formacionit dhe Pereyra-n.

Në listën e problemeve të Juventusit është edhe Paul Pogba. Ndoshta i shpërqendruar nga 80 milionë Eurot e ofruara në merkato nga Barcelona dhe Chelsea, apo thjesht ende jo në lartësinë e duhur për të mbajtur numrin 10 mbi shpinë. Në mungesë të liderëve në fushë, francezi ende nuk është shndërruar në lojtarin që tërheq bardhezinjtë.