Di Francesco insiston: S’e provokova Costan me fyerje raciste

  • 18 September 2018 - 16:08
Di Francesco insiston: S’e provokova Costan me fyerje raciste

Anësori i Sassuolos, Federico Di Francesco, ka insistuar se nuk e kishte provokuar Douglas Costan e Juventusit me ndonjë fyerje raciste, para se ky i fundit ta godiste me bërryl dhe kokë, si dhe të bënte gjest të shëmtuar duke e pështyrë në fytyrë.

Costa shkroi në Instagram për të kërkuar falje për incidentin ndaj Di Francescos në fitoren e Juventusit 2-1 ndaj Sassuolos të shtunën, por theksoi se njerëzit nuk e dinë se çfarë i kishte thënë atij Di Francesco.

Mediat italiane sugjeruan më pas se braziliani ishte subjekt i racizmit, gjë të cilën menjëherë e ka mohuar Di Francesco.

“Jam thellësisht i shqetësuar me akuzat dhe shpikjet që janë publikuar në disa media kombëtare”, shkroi Di Francesco në Twitter.

“E gjithë kjo është ofendim dhe nënçmim. Nuk lejoj që sjellje apo fjalë raciste – të cilat nuk janë në përputhje me vlerat e mia etike dhe janë rezultati i imagjinatës së njerëzve – t’m’u atribuohen mua. Kërkoj të më respektojnë!”, tha ai.

 

(Kosova Sot)