Gattuso kërkon Edgar Çanin te Pisa

  • 31 August 2015 - 16:14
Gattuso kërkon Edgar Çanin te Pisa

Një prej lojtarëve më të spikatur të futbollit italian në fillimin e viteve 2000 kërkon me ngulm një shqiptar në skuadër. Bëhet fjalë për trajnerin e Pisës, Gennaro Gattusso.

Ish-mesfushori i Milanit është futur në garën për Edgar Çanin. Gattuso kërkon të përforcojë skuadrën, që deri në këto momente vlerësohet mjaft cilësore në kuadër të kampionatit të Ligës Pro.

Me Gattuson në stol dhe afrimin e lojtarëve me eksperiencë, drejtuesit e Pisa-s shpresojnë ta rikthejnë skuadrën në Serinë B, kategorinë e dytë italiane.

Vetëm pak orë më parë Edgar Çani prishi kontratën me Catanian dhe është lojtar i lirë. Sulmuesi shqiptar nuk arriti të lejë gjurmë në skuadrën ku u kthye pas eksperiencës zhgënjyese me Leeds United në Angli.

26-vjeçari kërkon ta vazhdojë karrierën në Itali. Çani refuzoi ofertën e Crotones, ndërsa përveç Pisa-s ka tërhequr vëmendjen e disa skuadrave, si Ternana e Leçe, ndërsa interes ka shfaqur edhe Brescia.

Lidhur me karakteristikat e lojës, sulmuesi ka qenë një element mjaft i rëndësishëm për Kombëtaren Shqiptare. Lojtari numëron 15 paraqitje dhe 4 gola me fanellën kuqezi, por për shkak të problemeve në karrierën me klubet, ka mbetur jashtë planeve të trajnerit De Biasi.