Plepolli: Kemi nevojë për trajnerë punëtorë e jo trajnerë oratorë

  • 20 September 2018 - 08:38
Plepolli: Kemi nevojë për trajnerë punëtorë e jo trajnerë oratorë
Cilësia e futbollit tonë lë shumë për të dëshiruar

"Për me ngrit cilësinë nuk varet vetëm nga puna e trajnerit. Sigurisht që puna e tij ndikon shumë, por rolin kryesor e luajnë futbollistët. Pra, duhet të kemi lojtarë cilësorë për me ngritë cilësinë, deri tash si trajnerët si lojtarët e ardhur nuk kanë bërë ndryshime të mëdha", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Arsim Plepolli

Futbolli i Kosovës vazhdimisht ka lënë shumë për të dëshiruar sa i përket cilësisë në fushë. Kjo zaten ka ndikuar edhe në largimin e shikuesve nga shkallët e stadiumeve ku sot kemi shumë ndeshje që përcillet jo më shumë sesa 100 ose 200 shikues. Kjo për analistët është e papranueshme pasi vendi ynë ka shumë tifozë dhe sikur futbolli të ishte cilësorë stadiumet do të ishin të mbushura. Sivjet klubet në tentim për ta ngritur nivelin e futbollit u fokusuan të trajnerët nga Shqipëria, duke sjellë në Kosovë emra të mëdhenj të tyre. Mirel Josa, Sulejman Starova, Blendi Shkëmbi dhe se fundmi Shpëtim Duro janë trajnerët që kanë ardhur në Kosovë, dhe menjëherë u krijua një përshtypje se futbolli unë do të lulëzojë, por kur kanë kaluar 5 javë nga kampionati, cilësia vazhdo të lë shumë për të dëshiruar. Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, Arsim Plepolli, ka thënë se futbolli ynë ka nevojë trajnerë nga jashtë, por ata trajnerë duhet të jenë cilësorë e jo të bazohemi vetëm në emra ose në të kaluarën e tyre, por duhet të shikohet puna aktuale që bën.

Nuk ka ndryshim
"Këto prurje cilësinë nuk mundem me thënë as që e kanë ngritur e as që do ta ngritin në të ardhmen", ka thënë fillimisht Plepolli për gazetën "Kosova Sot", sipas të cilit ngritja e cilësisë kërkon një punë zinxhirore e jo vetëm nga trajneri. "Për me ngrit cilësinë, sigurisht që trajneri ndikon, por rolin kryesor e luajnë vetë futbollistët. Pra duhet të kemi lojtarë cilësorë për ngritjen e nivelit të futbollit tonë", ka thënë Plepolli sipas të cilit kampionati ynë ka nevojë për trajnerë të huaj por jo për nga emri por për nga puna cilësore. "Çdo trajner kualitativ është i mirëseardhur në Kosovë. Mirëpo, unë them se jo të marrim trajnerë duke u bazuar në të kaluarën dhe rezultatet që ka pasur, por duhet shikuar situata aktuale. Nëse më pyesni se a e kanë ngritur cilësinë këta trajnerë që kanë ardhur, unë deri tani nuk kam pa që kanë sjell në lojë diçka ndryshe. Gjithsesi, kanë sjellë një konkurrencë te trajnerët vendorë", ka thënë për "Kosova Sot", Arsim Plepolli.

Çdo vend ka nevojë për prurje nga jashtë
Sipas ish futbollistit të mirënjohur, tash trajner me grupmosha të reja dhe analist i futbollit, Arsim Plepolli çdo vend ka nevojë për prurje nga jashtë. Edhe ne nëse duam ta ngrisim nivelin e kampionatit vendor, si dhe të kërkojmë rezultate në arenën ndërkombëtare, duhet medoemos të sjellim lojtarë e trajnerë nga jashtë, por gjithmonë cilësorë. "Çdo kampionat ka nevojë për trajnerë dhe futbollistë të huaj. Edhe ne kemi, por duhet mos te ngutemi, të analizojmë se çka mund të bëjë ai për klubet tona e jo të bazohemi në llafet e kafeneve. Pra futbolli ynë ka nevojë për trajnerë punëtorë e jo trajner orator", tha Plepolli i cili nuk ka ngurruar ti kritikojë as disa analistë të cilët nuk po e flasin realitetin. "Unë po i shohë në medie disa analistë që flasin e as vetë se din çka flasin për futbollin, tash nuk e di kënd duhet ta gjykojmë, mediet që i japin hapësirë çdo kujt apo ne që jemi bërë më shumë analistë se futbollistë, më shumë kemi ekspertë të futbollit sesa shikueshmëri", ka përfunduar Arsim Plepolli.

(Kosova Sot)