Shumë përforcime në Superligë

  • 20 September 2018 - 08:40
Shumë përforcime në Superligë
Tetë skuadrat e elitës kanë sjellë numër të madh basketbollistësh nga jashtë

Afati kalimtar në basketboll ishte shumë i pasur sa u përket përforcimeve, ku tetë skuadrat e Superligës kanë bërë mjaft përforcime, megjithatë, jo ndonjë të emër të madh. Cilësia e tyre mbetet për t'u vlerësuar, derisa pritet një edicion mjaft interesant, ku Prishtina shihet si favorite

Të gjitha skuadrat e Superligës së Kosovës në basketboll janë përforcuar me lojtarë të huaj dhe vendorë. Një numër i madh i lojtarëve të huaj edhe në edicionin e ri do të luajnë në basketbollin e Kosovës, derisa cilësia e tyre mbetet për t'u vlerësuar. Bashkimi si kampion do ta ketë vështirë përballë Prishtinës që do të garojë edhe në arenën evropiane dhe synimet për edicionin e ri janë të mëdha. Edhe skuadrat tjera do të mundohen të realizojnë synimet e tyre, duke bërë një kampionat interesant, edhe pse do të mungojë Peja, që nuk ka shlyer borxhet, dhe elita ka humbur një skuadër të madhe dhe me traditë. 

Herët për t'i vlerësuar
Ish-basketbollisti i njohur, Valentin Spaqi, është shprehur se nuk ka ndonjë emër i madh i basketbollit që është transferuar në këtë afat kalimtar. "Të them të drejtën është pak herët për t'i vlerësuar përforcimet e deritanishme, megjithatë, nuk ka ndodhur emër që duhet të veçohet nga lojtarët e huaj. Mendoj se nëse përzgjedhjen e lojtarëve të huaj e bëjnë trajnerët, atëherë përforcimet mund të jenë të qëlluara, sepse vetëm trajneri mund të dijë se për çfarë lojtari ka nevojë skuadra", është shprehur Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Prishtina ka bërë më së shumti përforcime, derisa nga vendorët veçohet Dardan Berisha, i cili është rikthyer në kryeqytet dhe do të jetë arma më e fortë për edicionin e ri në të gjitha garat. "Në edicionin e ri do të jetë: Prishtina dhe gjithë të tjerat. Mendoj se prishtinasit janë favoritë", ka shtuar tutje Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Edicioni i kaluar la shumë për të dëshiruar, si në cilësi, ashtu edhe në shikueshmëri. Shumë analistë të basketbollit e kishin cilësuar si më të dobëtin pasluftës në basketboll. Skuadrat kanë bërë mjaft përforcime, që mbetet të shihet se sa janë cilësore. 

Bardhekaltrit përballë Donar Groningen nga Holanda
Kryeqytetasit, përveç garave vendore, do të marrin pjesë edhe në ato ndërkombëtare, ku sonte e pret Donar Groningen nga Holanda në kuadër të raundit të parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve në basketboll, ndeshje që do të zhvillohet nga ora 20:30. Për basketbollistët bardhekaltër kjo është një sfidë shumë e rëndësishme, para ndeshjes së kthimit që do të luhet dy ditë më vonë në Groningen. Donar Groningen është kampione në fuqi e Holandës, derisa në edicionin e kaluar ka qenë pjesë e Final Four të FIBA Europe Cup. Ndërkohë, bardhekaltrit janë rikthyer edhe në Ligën Ballkanike, ligë të cilin e kishin fituar dy herë. Në një njoftim të Ligës Ballkanike thuhet se liga është bërë edhe më e fortë me rikthimin e ishkampiones me ambicie të mëdha. Prishtina mori pjesë në këtë ligë prej vitit 2013 deri më 2017. Klubi nga Kosova fitoi Ligën Ballkanike në vitin 2015 dhe 2016, ndërsa në sezonin e parë arriti në "Final Four". Edicionin e kaluar pjesëmarrëse në këtë garë ishte Bashkimi, që arriti deri në finale. 

(Kosova Sot)