Karikatura e Ditës: Lotët e Ronaldos pas kartonit të kuq

  • 20 September 2018 - 14:10
Karikatura e Ditës: Lotët e Ronaldos pas kartonit të kuq

Protagonist i Karikaturës së Ditës të Goal.com për ditën e enjte është Cristiano Ronaldo, për shkak të kartonit të kuq, që morri dje në ndeshjen kundër Valencias.

Mbrëmë, ylli portugez debutoi për klubin e tij të ri, Juventusin, në Ligën e Kampionëve. Ai ishte transferuar gjatë afatit kalimtar të verës nga Real Madridi për 11 milionë euro dhe Juventusi e ka bërë të qartë se përmes këtij transferimi, kërkon t’i tregojë të gjithëve se ka synim ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve.

Megjithatë, Ronaldo nuk e filloi Ligën e Kampionëve ashtu siç e kishin paramenduar drejtuesit e klubit kur e transferuan nga Real Madridi. Vetëm 29 minuta pasi kishte filluar ndeshja kundër Valencias në Spanjë, Ronaldo u ndëshkua me karton të kuq.

Lojtari i Valencias, Jeison Murillo, kishte rënë në tokë pas një përplasjeje mes tij dhe Ronaldos. Portugezi e konsideroi atë si simulim dhe për t’i thënë që të ngrihej në këmbë, ia tërhoqi flokët.

Fillimisht, gjyqtari kryesor nuk e kishte parë incidentin, por pas bisedës me njërin nga gjyqtarët ndihmës, kishte vendosur ta ndëshkonte Ronaldon me karton të kuq. Ronaldo do të dënohet me një ndeshje automatikisht, pa të drejtë kundërshtimi, por mund të dënohet edhe për më shumë.

Varet nga UEFA nëse ata e shohin incidentin si të mjaftueshëm për dënim me tri ndeshje. Ndeshja e radhës e Juventusit në Ligën e Kampionëve është kundër Young Boys, por Ronaldo mund t’i humbë edhe dy ndeshjet kundër ish-klubit të tij, Manchester Unitedit, në Old Trafford më 23 tetor dhe në Allianz më 7 nëntor.

“Tërheqje flokësh, një karton i kuq qysh në fillim dhe një largim me lot – Ndeshja e parë e Cristiano Ronaldos për Juventusin në Ligën e Kampionëve do të mbahet mend për të gjitha arsyet e gabuara!”, shkruan Goal.com në mbishkrimin e karikaturës së ditës. 

 

(Kosova Sot)