Casemiro: Modrici për Topin e Artë? Do t’ia jepja Ronaldos

  • 20 September 2018 - 15:30
Casemiro: Modrici për Topin e Artë? Do t’ia jepja Ronaldos

Mesfushori i Real Madridit, Casemiro, ka thënë se ai t’ia jepte çmimin “Topin e Artë” ish-bashkëlojtarit të tij, Cristiano Ronaldos, dhe jo yllit kroat të klubit madrilen, Luka Modricit.

Pas ndeshjes kundër Romës, të cilën “Los Blancos” e fituan me rezultat 3-0, mesfushori brazilian u intervistua nga mediat dhe e bëri të ditur se sipas tij Cristiano Ronaldo është meritori i vërtetë.

“Topi i Artë për Modricin? Mendoj se ka qenë një vit shumë i mirë për Lukan, por unë do t’ia jepja këtë çmim Cristiano Ronaldos”, ka thënë Casemiro.

Luka Modric e kishte fituar Ligën e Kampionëve me Real Madridit për të tretën herë radhazi sezonin e kaluar. Por, përveç kësaj, kroati pati sukses edhe me Kombëtaren e Kroacisë, me të cilën arriti të shkonte deri në finale të Kupës së Botës, ku u mposhtën nga Franca me rezultat 4-2.

Përveç çmimit për lojtarin më të mirë të turneut të Kupës së Botës, Modrici është zgjedhur edhe si lojtari më i mirë i vitit nga UEFA. Ronaldo nuk kishte marrë pjesë në mbrëmjen e organizuar për ndarjen e çmimeve, dhe më vonë trajneri i tij në Juventus, Massimiliano Allegri, kishte bërë të ditur se ai kishte qenë i zhgënjyer që nuk ishte zgjedhur si lojtari më i mirë.

Lojtarët e tjerë të Real Madridit, si dhe tifozët, e kanë shprehur mbështetjen e tyre për Luka Modricit, që ai të shpallet si fitues i çmimit “Topi i Artë”. Madje edhe bashkëkombësi i tij në Barcelonë, Ivan Rakitic, kishte thënë se Modrici duhet ta fitonte çmimin në fjalë.

 

(Kosova Sot)