Sermaxhaj: Ndryshimet e trajnerëve po e shkatërrojnë kampionatin

  • 21 September 2018 - 10:03
Sermaxhaj: Ndryshimet e trajnerëve po e shkatërrojnë kampionatin
4 trajnerë të larguar pas vetëm 5 javëve të zhvilluara

"Trajneri është çelësi i sukseseve në ekip dhe ai duhet të dijë sesi t'i menaxhojë futbollistët e vet. Këto largime apo shkarkime të parakohshme janë jashtëzakonisht negative për ekipin, futbollistët dhe në përgjithësi për Ligën", thotë Genc Sermaxhaj për gazetën "Kosova Sot"

Kanë kaluar vetëm 5 javë në elitën e futbollit kosovar, por duket të jenë të mjaftueshme për ta kuptuar se futbolli ynë po përballet me problemet e njëjta si në të kaluarën. Ndërrimet e mëdha të trajnerëve, ndryshimet drastike të nivelit të lojëve nga ndeshja në ndeshje, organizimi jo shumë i mirë te disa klube po e bëjnë këtë kampionat të mos dallojë shumë nga ata të kaluarit. Kështu mendon edhe njohësi i mirë i futbollit tonë Genc Sermaxhaj, i cili në një analizë bërë startit të kampionatit për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se janë disa situata të cilat po e bëjnë garën të duket shumë joprofesionale, sidomos me ndryshimet e shpeshta në bankina. "Ajo që po na shqetëson më së shumti në këtë fillim të garave është fakti se përsëri po përballemi me disa probleme dhe situata të pakëndshme, të cilat po e bëjnë joprofesion ale punën e deritanishme në klube", ka thënë në fillim të bisedës për gazetën "Kosova Sot", Genc Sermaxhaj. 
Image

Nuk ka dominues

Prishtina e Drita janë vlerësuar si skuadrat që do ta dominojnë garën, kjo edhe për faktin se u paraqitën mirë në garat ndërkombëtare, duke e kaluar një rreth, por ja që fillimi solli problemet më të mëdha, pikërisht te këto dy skuadra. Ani pse Prishtina në renditje qëndron shumë më mirë sesa Drita, gjithsesi loja e saj nuk po kënaq. "Nuk ka ndonjë ekip që është bindshëm më i mirë se tjetra. Kemi shumë ngritje e rënie të nivelit të lojëve nga ndeshja në ndeshje, çka i bie se nuk ka stabilitet asnjë skuadër", ka thënë Sermaxhaj për "Kosova Sot". Sipas ish- futbollistit gjilanas, e vetmja skuadër që duket se tashmë është e dorëzuar është KEK-u, por janë disa ekipe të tjera që shumë lehtë mund t'i ngjasojnë KEK-ut në vazhdim. "KEK-u tani veç po dihet se nuk është i denjë për të garuar me ekipet e tjera, por janë edhe disa ekipe të tjera skaj saj që nuk janë duke u këndellur. E gjithë kjo vjen si pasojë e problemeve të cilat po shfaqen me trajnerët dhe dorëheqjet e tyre që janë të shumtë", ka vlerësuar Sermaxhaj.

Trajnerët e kanë çrregulluar kampionatin
Ndërrimet e shpeshta në bankina, pra largimet dhe shkarkimet e trajnerëve për çdo javë, sipas Sermaxhajt janë arsye që po e bëjnë kampionatin të duket jostabil dhe aspak profesional, kjo pasi po u sjell probleme të mëdha të klubeve. "Trajneri është çelësi i sukseseve në ekip dhe ai duhet të dijë sesi t'i menaxhojë futbollistët e vet. Këto largime e shkarkime të parakohshme janë jashtëzakonisht negative për ekipin, futbollistët dhe në përgjithësi për Ligën. Ndikon gjithashtu edhe në nivelin e lojës dhe rrjedhës së kampionatit. Prandaj janë gjëra të cilat duhet studiuar gjatë", ka thënë Sermaxhaj, i cili assesi nuk po mund të pajtohet me vendimin e disa trajnerëve që po sillen në mënyrë joprofesionale, ku me shfaqjen e problemit të parë e lënë misionin e tyre në gjysmë duke hequr dorë nga posti. "Ne të gjithë mund t'i kuptojmë sjelljet e futbollistëve, sepse janë të papjekur e joprofesionistë, por assesi nuk mund ta kuptojë sjelljen e trajnerëve pedagogë", ka përfunduar Sermaxhaj.

(Kosova Sot)