Shpresat e xhudistëve

  • 22 September 2018 - 08:28
Shpresat e xhudistëve
Nora dhe Akil Gjakova, të shtunën në aksion 

Distria Krasniqi u eliminua në rrethin e dytë të Kampionatit Botëror, derisa të shtunën do të garojnë Nora dhe Akil Gjakova, kurse të martën Loriana Kuka. Shpresat e xhudistëve janë që të kthehen me medalje, edhe pse i pret një garë shumë e vështirë, dhe një short aspak i mëshirshëm 

Kosova po merr pjesë me katër xhudistë në Kampionatin Botëror, që do të mbahet deri më 27 shtator. Distria Krasniqi u eliminua në rrethin e dytë të këtij Botërori. Distria e nisi furishëm në rrethin e parë, duke e mundur Jasqueline Solis nga Guatemala, por në rrethin e dytë kishte përballë një kundërshtare të jashtëzakonshme, Belodidin. Distria eliminohet nga Kampionati Botëror, megjithatë, tregoi një paraqitje të mirë. Kampionia e Evropës, Nora Gjakova, raundin e parë e kalon pa luftë, ndërsa më pas pret fituesen e çiftit: Soumiya Iraoui (Maroko)- Abzetta Dabonne (Bregu i Fildishtë). Edhe Loriana Kuka raundin e parë e kalon pa luftë, ndërsa në të dytën takohet me sllovenen e njohur për të, Klara Apotekar, të cilën e kishte mposhtur në evropianin "Tel Aviv 2018". Akil Gjakova që po kalon formë të mirë, misionin e tij në botëror e nis nga raundi i dytë, ku për kundërshtar ka Magner Mendes të Bregut të Fildishtë. "Çdo plasman në tetë të parët do të jetë sukses i madh, e medalja do të ishte sukses i jashtëzakonshëm", është shprehur përzgjedhësi i Kosovës në xhudo, Driton Kuka. 

Nora nuk do ta ketë aspak lehtë
Ndërkohë, në këtë Botëror, nuk po merr pjesë, Majlinda Kelmendi, për shkak të rikuperimit të lëndimit. Edhe kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, thotë se Nora Gjakova nuk do ta ketë lehtë. "Nora Gjakova edhe pse luftën e parë e kaloi pa luftë, në luftën e dytë pret garuesen marokene apo atë nga Bregu i Fildishtë, që mendoj se nuk do të ketë telashe, pastaj fillojnë luftërat e forta dhe për të hyrë në tetë më të mira, në zonën e medaljeve. Nora ka grup të fortë, pasi aty është austriakja Sabrina Filzmoser, francezja Priscilla Gneto, kanadezja Christa Deguchi. Të gjitha garueset e Norës janë me potencial të madh dhe me eksperiencë", tregon Kuka. Nora dhe Akil Gjakova do të garojnë të shtunën, kurse Loriana Kuka, të martën. 

Akili dhe Loriana, me sfida të vështira
Në kategorinë 73 kg, në xhiron e dytë Akil Gjakova do të përballet me Magner Mendes nga Cape Verdde. "Nëse flasim për Akilin, e dimë se e ka kategorinë shumë të fortë. Shpresoj edhe Akili në luftën e parë nuk do të ketë pengesë, pastaj do të ketë luftëra të vështira, ku e ka në grup kampionin botëror, japonezin Soichi Hashimoto. Shpresoj për gjithë garuesit së paku të kenë plasman. Natyrisht gëzimi për gjithë ne është që të kthehemi me medalje", ka shtuar tutje Agron Kuka. Në kategorinë 78 kg Loriana Kuka sfidohet nga Klara Aopotekar e Sllovenisë. Për Lorianën nuk është një kundërshtare e panjohur. "Loriana luftën e parë e ka me sllovenen, garuese me eksperiencë dhe medaliste evropiane, edhe pse luftën e fundit Loriana ka ngadhënjyer ndaj Aopotekar, prapë se prapë ajo është garuese me eksperiencë. Pastaj nëse kalon sllovenen, njëra prej tyre është medalistja botërore, anglezja Natalie Powell ose Myriam Sarah Mazouz nga Gaboni. Shpresoj të kenë fat garueset tanë, ditën e tyre, për tjerat dhe sa i përket përgatitjes psikike dhe fizike të gjitha janë të përgatitur në mënyrën e duhur, le te mbetet në fatin e garuesve që të kthehemi me medalje", përfundoi Agron Kuka.

(Kosova Sot)