Di Francesco: Vdeksha tani nëse kam përdorur fjalë raciste

  • 22 September 2018 - 09:09
Di Francesco: Vdeksha tani nëse kam përdorur fjalë raciste

Futbollisti i Sassuolos, Federico Di Francesco, ka reaguar përsëri ndaj thashethemeve në rrjetet sociale se ai e kishte abuzuar me fjalë raciste anësorin e Juventusit, Douglas Costa, duke thënë “vdeksha tani nëse kam përdorur fjalë të tilla”.

Costa e pështyu Di Francescon në fund të ndeshjes mes Juventusit dhe Sassuolos, menjëherë pasi e kishte goditur me bërryl dhe kokë.

Veprimet plot mllef të Costas nxiten reagime se çfarë ka mundur t’i thotë kundërshtari atij për të vepruar në atë mënyrë. Di Francesco ka reaguar edhe mbrëmë, në tentim për ta sqaruar këtë.

“Ma kanë sulmuar karakterin në rrjetet sociale”, tha Di Francesco për Sky Italia.

“Jam i zhgënjyer dhe kam tentuar ta largoj veten nga kjo situatë”, tha ai.

I pyetur se çfarë i kishte thënë Costas, Di Francesco u përgjigj: “Nuk dua të flas për këtë. Natyrisht se thuhen fjalë të ndyta në fushë. Por, unë absolutisht nuk kam thënë fjalë raciste. Vdeksha tani nëse kam përdorur fjalë raciste. Nuk dua të flas për këtë më”.


(Kosova Sot)