Evoluimi i futbollit, ja sa ka ndryshuar ky sport

  • 22 September 2018 - 15:02
Evoluimi i futbollit, ja sa ka ndryshuar ky sport

Jeta ndryshon dhe evoluon me kohën. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me futbollin, një nga sportet më popullor në botë. Futbolli i së kaluarës, me këtë të sotmin, kanë një diferencë pothuajse si nata me ditën.

Shumë sportdashës vlerësojnë kohën moderne, por ka shumë nostalgjikë që nuk e tradhtojnë epokën e Maradonës, Gerd Mullerit, Beckenbauerit, Valderamës, Platinisë apo Krujfit. Me të mirat dhe të këqijat e veta, futbolli i sotëm me siguri është më favorshëm dhe atraktiv falë mjeteve financiare dhe teknologjisë së avancuar. Por, nëse modernizimi ka përparuar parametrat e futbollit, e kaluara ka pasur një nga avantazhet më të mëdha: S’kishte kompani bastesh, pra mungonte bixhozi dhe trukimet. Futbolli modern është kapur nga oligarkët e naftës, drogës, apo edhe nga sponsorët gjigantë mes tyre dhe kompani bastesh.

Në vija të përgjithshme dominon e mira dhe futbollistët gëzojnë mirëqenie të jashtëzakonshme në vendet e zhvilluara. Bota e futbollit aktual ka nxjerrë yje si Cristiano Ronaldo, Lionel Mesi, Bale, Neymar, Mbappe, De Bryune, Hazard e Kane. 

Këtij zhvillimi dhe ndryshimi pothuajse rrënjësor, analistët e “goal.com”, Ambre Godilon dhe Johan Kroket, i kanë kushtuar një speciale duke nisur nga festimi i një goli, modeli i flokëve, mënyra e të mbajturit shënim nga një trajner dhe deri te tifozët dhe reklamat e futbollistëve.

Trajnerët

Futbolli njeh trajnerë të mëdhenj si Helmut Schon, Marcelo Lippi, Franc Beckenbauer, Enxo Bearzot dhe shumë të tjerë që kanë bërë epokë dhe fituar trofe të rëndësishëm. Të gjithë ata përdornin fletë dhe stilolaps apo ndonjë dërrasë të zezë për t’u shpjeguar taktikat lojtarëve. Gjithashtu, si veshje mbanin komplete sportive ndoshta edhe të arnuara. Ndërsa në kohën e sotme trajnerët përdorin mjete të teknologjisë së lartë si laptop, tabletë. Gjithashtu, ata mbajnë veshur kostume të shtrenjta gjatë trajnimit në zyrë apo duke shkruar me lapustinë në dërrasa të bardha.

Fansat

Ka pasur kohë që tifozët nuk shkonin në stadium për të parë ndeshje, por për të bërë rrëmujë, hedhur tymuese, i vënë flakën tribunës, apo duke nxjerrë banera me mesazh nga politika. Arenat nuk ishin aspak higjienike dhe futja në stadium bëhej në mënyrë të çrregullt. Por, në kohët e sotme, stadiumet janë të pastra dhe fansat janë të organizuar me komplete, flamuj dhe gjithçka që i identifikon me klubin e zemrës.

Stil dhe modë

Në të kaluarën, pothuajse çdo lojtar mbante të njëjtin model flokësh, ku të shtrira, ku të kthyera anash, majtas, djathtas apo kush të gjata. Në fakt, në disa vende ka pasur edhe shkaqe politike ku regjimi përcaktonte modelin e flokëve. Ndërsa në ditët e sotme, futbollistët kanë larmi zgjedhjesh, madje dhe parukier personal. Koka e tyre shndërrohet në një “laborator eksperimental”. Shumë prej tyre bëjnë edhe tatuazhe në kokë. Ndër ta janë Pogba, Vidal, Ronaldo, Mesi dhe shumë të tjerë me kokë shumëngjyrëshe. Por, ka edhe lojtarë me kaçurrela, nostalgjik ndaj modelit të Valderramës si David Luiz.

Reklamat

Në të kaluarën, firma të ndryshme zgjidhnin lojtarët si imazh për markat e tyre. Por, cilësia e reklamës nuk ishte e arrirë. Futbollistët ishin në prapaskenë dhe vetëm emri u dilte në pah. Ndërsa, në ditët e sotme reklamat kanë evoluar. Futbollistët, përveçse kanë kontrata shumëmilionëshe me sponsorët, janë edhe vetëprodhues si Cristiano Ronaldo. Portugezi ka themeluar seritë CR7 të parfumeve dhe bokserave. Ronaldos i pëlqen të pozojë dhe nxjerrë në pah format e trupit duke sfiduar në njëfarë mënyrë misterat.

Sponsorët

Më përpara, sponsorët u jepnin zhvillim klubeve dhe ofronin ndihma financiare në buxhetin e tyre. Futbollistët visheshin thjesht dhe fshehnin duart prapa, për shkak të mangësisë së sponsorizimit. Ndërsa tani, reklama ka në çdo cep të fanellës së klubit, madje në këpucë dhe në duar.

Marrëdhënia me fansat

E vetmja mënyrë për të pasur kontakte me fansat ishte takimi i tyre. Futbollistët jepnin autografe me stilolapsa dhe tifozët me letra nëpër duar. Deri këtu arrinte kënaqësia dhe mundësia. Futbollistët me kanotiere dhe bluza me mëngë zhapone. Ndërsa, tani veç autografeve dhe dhurimit të fanellave apo sendeve të futbollit, sportistët janë më afër tifozëve edhe nëpërmjet rrjeteve sociale. Prania e “smartphonave” u mundëson edhe fotografi direkte.

Trupi dhe T-shirt

Kohë më përpara, futbollistët mund të ishin edhe mbipeshë, por nuk ishte pengesë. Masat trupore nuk mateshin dhe s’e dinin se çfarë u jepte doktori gjatë ndeshjes. Nëse ishte doping apo jo, informacioni ishte zero. Edhe fanellat me çorapet kishin ngjyra dhe gjatësi të përcaktuara me modele të thjeshta. Në kohët e sotme, kontura e një futbollisti është tjetërsuar komplet nga koka te këmbët. Kujdesen për fibrat, për të pasur trup trekëndësh, muskuj dhe një trup të rregullt.

Ndikimi i mediave sociale

Kartoni i kuq ishte sanksion i pandryshuar. Ky ndëshkim ishte i barabartë me antifutboll, pasi pezullohej direkt. Ndërsa tani, ndëshkimi kalon disa faza. Kjo nga ndikimi i madh i rrjeteve sociale. Kartoni i kuq shoqërohet me komente, analiza dhe në fund i bie çekanit për vendimin.

Pas ndeshjes

Iku koha që futbollistët pas përfundimit të ndeshjes të hapnin birrat në dhomat e zhveshjes. Në të kaluarën alkooli u gjallëronte forcat. Ndërsa tani lojtarët kanë si të karikohen. Ata kanë kazanët ku mund të durojnë në minus 80 gradë.

Numrat e fanellave

IFAB kishte vënë rregullat që numri i fanellave të ishte nga 1 deri në 11 duke identifikuar edhe pozicionin. Fanellat ishin njëngjyrëshe. Ndërsa tani, numrat janë pa kriter, por sipas dëshirës.

Festimi i golit

Golat shënohen për të festuar. Në të kaluarën ishte pothuajse standard duke ngritur duart lart. I afrohet shumë stilit Inzagi. Ndërsa në kohët moderne kreativiteti është i lartë. Lojtarët bëjnë “selfie” në fushë me fansat siç ka ndodhur me “themeluesin” Françesko Toti.

Marrëdhënia me mediat

Ishte normale që gazetari të intervistonte futbollistët apo trajnerët në dhomat e zhveshjes. Ishin të paktë në numër, por të afërt. Ndërsa tani ka një barrierë, por shumë mikrofona, natyrisht në zonat e gazetarëve dhe jo në dhomat e zhveshjes.


(Kosova Sot)