Feronikeli, Llapi e Drenica shënojnë fitore

  • 22 September 2018 - 19:57
Feronikeli, Llapi e Drenica shënojnë fitore

Feronikeli është lider i ri i  Superligës, pasi sot si mysafir ka shënuar fitore kundër liderit të deritashëm, Flamurtarit, me rezultat 3:1, duke ia shkaktuar kuqezinjve të kryeqytetit humbjen e parë në këtë edicion.

Skuadra nga Drenasi kaloi në epërsi në minutën e 13-të me golin e shënuar nga Mendurim Hoti. Megjithatë, Flamurtari e nisi shumë mirë pjesën e dytë dhe qysh në minutën e parë të kësaj pjesëloje e barazoi rezultatin me golin e Alban Shillovës.

Mirëpo, mysafirët e rikthyen epërsinë në minutën e 60-të me golin e Carioca Da Silvas dhe më pas fitoren e tyre e vulosi Artur Magani, me golin e shënuar me kokë në minutën e 69-të.

Fitore tejet të rëndësishme në udhëtim ka realizuar edhe Llapi, që e ka mposhtur Lirinë, në stadiumin “Përparim Thaçi”, me rezultat 3:2.

Prizrenasit ishin dy herë në epërsi, por nuk arritën ta ruajnë atë deri në fund. Liridon Fetahaj e hapi serinë e golave në këtë ndeshje, kur e kaloi Lirinë në epërsi në minutën e 14-të. Gjashtë minuta më vonë Festim Alidemaj i barazoi shifrat në 1:1. Liria e riktheu epërsinë në minutën e 40-të, falë autogolit të Egzon Sinanit. Mirëpo, në pjesën e dytë llapjanët u treguan më këmbëngulës dhe arritën që me dy gola tjerë të Festim Alidemës në minutat 62’ e 70’ ta përmbysin rezultatin dhe t’i gëzohen fitores.

Ndërkohë, fitore si mysafire ka regjistruar edhe Drenica, që e ka mposhtur skuadrën e fundit në renditje, KEK-un në stadiumin “Agron Rama”, me rezultat 4:2. Golat për kuqezinjtë e Skenderajt i shënuan Armend Abazi (12’), Vigan Rexhaj (45’), Taulant Dajaku (75’) dhe Kreshnik Uka (88’), derisa për KEK-un shënuan Ardit Gashi (57’) dhe Shpëtim Preniqi (90’).

 

 

(Kosova Sot)