Girona e ndal me barazim një Barcelonë me 10 lojtarë

  • 23 September 2018 - 22:58
Girona e ndal me barazim një Barcelonë me 10 lojtarë

Girona e ka ndaluar Barcelonën, që pjesën më të madhe të ndeshjes e zhvilloi me 10 lojtarë, me një barazim dramatik në “Camp Nou” të dielën, i cili ishte i pari për katalonasit këtë sezon.

Barcelona lëshoi pikë për herë të parë pas pesë javësh këtë sezon në La Liga, pasi u ndal nga Girona me një barazim 2-2 në shtëpi.

Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme dhe dominimit të madh Leo Messi me shokë nuk ia dolën ta vazhdonin serinë e fitoreve të pandërprera.

Lionel Messi e zhbllokoi takimin pas njëzet minutave lojë me një gol të bukur pas një pasimi fantastik nga Arturo Vidal.

Por, gjërat për katalonasit u vështirësuan kur Clement Lenglet u përjashtua me karton të kuq një çerek ore më vonë. Pas konsultimit me VAR, gjyqtari e nxori francezin direkt me karton të kuq, pasi e kishte goditur me bërryl kundërshtarin.

Edhe më keq për Barçën u bë në minutën e fundit të pjesës së parë. Një gabim në mbrojtje i Gerard Pique i kushtoi vendasve me gol, pasi Stuani shënoi super gol pas një topi të kthyer.

Stuani e vazhdoi aty ku e kishte lënë në përfundim të pjesës së parë, duke i tronditur djelmoshat e Ernesto Valverdes me golin e epërsisë në minutën e 51-të.

Valverde bëri dy ndryshime të shpjeta pas kësaj, duke i sjellë në fushë Philippe Coutinhon dhe Ivan Rakiticin në vend të Arthuros dhe Arturo Vidalit, përkatësisht.

Kjo rezultoi pozitivisht, pasi Pique e përmirësoi gabimin pas një ore lojë, duke e barazuar në 2-2 rezultatin.

Përpjekjet e Barcelonës ishin të panumërta, përkundër se po luante me një lojtar më pak.

Leo Messi qëlloi shtyllën nga goditja e dënimit, aq pranë golit ishte argjentinasi.

Barça e ruan vendin e parë në ligë, megjithatë, pasi ka 13 pikë, aq sa Real Madridi në vendin e dytë.

Girona është e teta me 8 pikë.

 

(Kosova Sot)