Drita përsëri ia terron Prishtinës

  • 24 September 2018 - 08:30
Drita përsëri ia terron Prishtinës
Tabela tash ka një lider të ri, Feronikelin 

Derbi i kësaj jave ndërmjet Dritës e Prishtinës është mbyllur me fitoren e Dritës, e cila edhe pse në krizë të lojës dhe rezultateve, përballë Prishtinës edhe njëherë doli e suksesshme. Flamurtari ka pësuar humbjen e parë në këtë edicion dhe atë në shtëpi nga Feronikeli, i cili edhe i kushtoi me humbjen e pozitës së parë në tabelë, gjë e cila tash i takon "Niklit" 

Java e 6-të e Ipko Suerligës së Kosovës në futboll, ashtu siç është paralajmëruar, ka sjellë disa ndeshje tejet joshëse dhe të nxehta. Padyshim vëmendja më e madhe ka qenë në Gjilan, ku është zhvilluar superderbi ndërmjet Dritës e Prishtinës, dy skuadra këto që ende nuk e kanë kapur formën maksimale. Ishte Drita ajo që festoi duke e nisur mirë me trajnerin e ri Shpëtim Duro, derisa Prishtina konfirmoi edhe njëherë se nuk është në lojën e saj dhe se për të arritur atje ku dëshiron i duhet shumë punë. Një sfidë e nxehtë është zhvilluar edhe në Ferizaj, ndërmjet Ferizajt e Gjilanit derisa ashtu siç ishte paralajmëruar një punë e lehtë e Drenicën përballë KEK-ut ashtu edhe doli pasi skuadra drenicas fitojë lehtësisht duke konfirmuar kështu se KEK-u sivjet është vetëm vizitor në elitën e futbollit kosovar. Mst; Derbin e vendosi Arbër Shala Një gol i shënuar nga futbollisti i ri, Arbër Shala, e ka vulosur ndeshjen e djeshme ndërmjet Dritës e Prishtinës. Ishte Drita ajo që ka festuar duke shënuar fitore me rezultat minimal 1:0, me shpresë se e ka lënë mbrapa shpinë krizën që e kishte kapluar në ndeshjet e fundit ku kishte pësuar 4 humbje radhazi. Është trajneri i ri i Dritës, Shpëtim Duro ai që e ka kthyer kampionin të fitorja. Në anën tjetër për Prishtinën kjo është humbja e parë në këtë edicion. Sfida tjetër e zhvilluar ditën e djeshme ndërmjet Ferizajt e Gjilanit i ka takuar skuadrës mysafire, duke e thelluar kështu maksimalisht krizën e skuadrës së Ferizajt. 

Feronikeli, Llapi e Drenica fituan si mysafirë Feronikeli ka shënuar një fitore të madhe, ku në Prishtinë e ka mposhtur liderin e deridjeshëm të tabelës, Flamurtarin, me rezultat 3:1, duke ia shkaktuar kuqezinjve të kryeqytetit humbjen e parë në këtë edicion. Skuadra nga Drenasi kaloi në epërsi në minutën e 13-të me golin e shënuar nga Mendurim Hoti. Megjithatë, Flamurtari e nisi shumë mirë pjesën e dytë dhe qysh në minutën e parë të kësaj pjesëtoje e barazoi rezultatin me golin e Alban Shillovës. Mirëpo, mysafirët e rikthyen epërsinë në minutën e 60-të me golin e Carioca Da Silvas dhe më pas fitoren e tyre e vulosi Artur Magani, me golin e shënuar me kokë në minutën e 69-të. Fitore tejet të rëndësishme në udhëtim ka realizuar edhe Llapi, që e ka mposhtur Lirinë, në stadiumin "Përparim Thaçi", me rezultat 3:2. Prizrenasit ishin dy herë në epërsi, por nuk arritën ta ruajnë atë deri në fund. Liridon Fetahaj e hapi serinë e golave në këtë ndeshje, kur e kaloi Lirinë në epërsi në minutën e 14-të. Gjashtë minuta më vonë Festim Alidemaj i barazoi shifrat në 1:1. Liria e riktheu epërsinë në minutën e 40-të, falë autogolit të Egzon Sinanit. Mirëpo, në pjesën e dytë llapjanët u treguan më këmbëngulës dhe arritën që me dy gola tjerë të Festim Alidemës në minutat 62' e 70' ta përmbysin rezultatin dhe t'i gëzohen fitores. Ndërkohë, fitore si mysafire ka regjistruar edhe Drenica, që e ka mposhtur skuadrën e fundit në renditje, KEK-un në stadiumin "Agron Rama", me rezultat 4:2. Golat për kuqezinjtë e Skenderajt i shënuan Armend Abazi (12'), Vigan Rexhaj (45'), Taulant Dajaku (75') dhe Kreshnik Uka (88'), derisa për KEK-un shënuan Ardit Gashi (57') dhe Shpëtim Preniqi (90').

(Kosova Sot)